/

56 të zhdukur nga aksidenti në Greqi, mes tyre katër shqiptarë

Raportohet nga Greqia se 56 persona rezultojnë të zhdukur në aksidentin e ndodhur nga përplasja e trenave në afërsi të Larisas.

Tashmë misioni i kërkim shpëtimit nuk është fiksuar në gjetjen e kufomave të plota por për mbetje trupore apo sende personale në mënyrë që të bëhet identifikimi i viktimave.

Deri më tani rezulton se mes tyre janë edhe katër shqiptarë.

“Kjo është dita e tretë e kërkim-shpëtimit, ditën e djeshme janë gjetur 14 kufoma duke e shtuar numrin nga 43 në 57 numrin total të viktimave. 48 persona momentalisht ndodhen në spital, kryesisht në spitalin universitar të Larisës. 6 prej tyre janë në intubim, ndërkohë 56 persona rezultojnë të humbur nga denoncimet e familjarëve të tyre. Nga ajo që burimet thonë nga vendi i ngjarjes është se 25 persona të cilët kanë qenë në vagonin e parë është e pamundur të gjenden kufomat e tyre pasi mendohet të jenë shkrirë”, tha gazetari Xhensil Shkëmbi.

Gazetari ka raportuar se në një intervistë me koordinatorin special të kërkim shpëtimit në vendin e ngjarjes, ky i fundit është shprehur se pritet të gjenden kufoma të tjera, por nuk dihet se sa do të jetë numri total i viktimave. Ndërkohë koordinatori special i kërkim shpëtimit është shprehur se do të bëhet brenda ditës së sotme edhe rregullimi i infrastrukturës, në mënyrë që vagonët e dëmtuar të çmontohen, pra vendngjarja do të pastrohet.

“Kam qenë më komunikim të drejtpërdrejtë edhe me emergjencat civile helene, ata janë shprehur se nuk janë duke kërkuar më për tërësi kufomash, por kryesisht janë duke kërkuar për mbetje kufomash dhe për sende personale, në mënyrë që të bëhet identifikimi i viktimave. Deri më tani bëhet fjalë për 4 shqiptarë të zhdukur Evgjenia Micka, Denis Ruço, Pavlin Bozdo, Klaudia Lato kjo e fundit nuk e ka pasaportën shqiptare por është me prindër shqiptarë të cilët tashmë i kanë humbur shpresat se do e gjejnë”, tha Shkëmbi.

Ai ka raportuar gjithashtu se dy shqiptarë janë në gjendje të rëndë dhe janë duke luftuar për jetën, Roberto Drishti 25-vjeçar dhe Anisa Liuri 23-vjeçare, ndërkohë që Olta Kulla për fat të mirë është jashtë rrezikut për jetën.

Leave a Reply

Your email address will not be published.