/

Uajoming bëhet shteti i parë në SHBA që ndalon pilulat e abortit

Uajoming është bërë shteti i parë amerikan që ka ndaluar pilulat për abort, pasi guvernatori Mark Gordon, e ka nënshkruar një projektligj, që e ka bërë të paligjshëm përshkrimin dhe shitjen e tyre.

Shkelja e vendimit ndëshkohet me deri në gjashtë muaj burgim dhe 9.000 dollarë gjobë.

Gratë “ndaj të cilave kryhet apo tentohet të kryhet aborti” nuk do të ndiqen penalisht.

Pas vendimit të Gordonit, një gjyqtar në Teksas ka thënë se po e konsideron mundësinë e padisë, çka mund të bllokojë zbatimin e ndalesës për pilulat e abortit në gjithë vendin.

Pilulat e abortit janë metoda më e zakonshme për t’i dhënë fund një shtatzënie në Shtetet e Bashkuara.

Projektligji i Uajomingut, i cili është miratuar nga legjislatura e kontrolluar nga republikanët, pritet të hyjë në fuqi prej 1 korrikut.

Aty nuk mbulohen pilulat që merren për parandalim të shtatzënisë menjëherë pas marrëdhënieve seksuale (morning-after pills), apo trajtimet që ekzistojnë për të mbrojtur një grua, shëndeti i së cilës është në rrezik.

Avokati i Sindikatës së Uajomongit për Liri Civile Amerikane, Antonio Serrano, e ka kritikuar projektligjin, duke thënë se “shëndeti i një personi, dhe jo politika, duhet të ndikojë në krijimin e vendimeve të rëndësishme mjekësore – përfshirë vendimin për të kryer abort”.

Uajoming është një prej vendeve të shumta në Shtetet e Bashkuara, ku është duke u sfiduar çështja e ndalimit të abortit, pas vendimit të Gjykatës Supreme për të përmbysur një vendim të vitit 1973 – të njohur si Roe v Wade – që legalizonte abortin.

Me vendimin e Gjykatës Supreme, aborti nuk është bërë me automatizëm ilegal në SHBA – mirëpo shtetet mund të vendosin nëse do të lejojnë diçka të tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.