/

Hill në lidhje me marrëveshjen e Ohrit: Shpresoj se do të shënohet në histori, do të ketë efekte në të gjithë Ballkanin Perëndimor

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë gjatë një vizite në Vranjë se beson se Marrëveshja e Ohrit do të ketë efekt pozitiv në mbarë Ballkanin.

“Ndoshta është herët për të thënë. Shpresoj se Marrëveshja e Ohrit do të shënohet në histori”, ka thënë fillimisht Hill, shkruajnë mediat serbe, përcjellë DTV.

Kjo për faktin se sipas tij, “nga njëra anë, si një pikë nga e cila filloi normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe bëri që kufijtë t’i bashkojnë njerëzit, jo t’i ndajnë ata”.

“Gjithashtu, se do të jetë një pikë kthese nga e cila filluam të merremi me çështjet ekonomike në radhë të parë dhe bashkëpunimin ekonomik”, ka shtuar Hill.

Siç ka thënë ai, gjatë dy ditëve të fundit, kur ishte në vizitë në jug të Serbisë, ai vetë bëri përpjekje për të shpjeguar se Marrëveshja e Ohrit ka të bëjë me “Kosovën, jo këtë pjesë të Republikës së Serbisë”, por që SHBA-ja me siguri do angazhohen për të ndihmuar pjesë të ndryshme të Ballkanit për të gjetur rrugën e tyre përpara.

“Duhet thënë se kjo marrëveshje e bart përgjegjësinë te të gjithë ne që të bëjmë përpjekje për ta ndihmuar këtë rajon të forcohet dhe të përparojë përmes zhvillimit ekonomik. Të gjitha vendet dhe banorët e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë përpjekje për ta afruar rajonin me BE-në përmes bashkëpunimit të ndërsjellë dhe kjo nuk është një detyrë politike, por në radhë të parë ekonomike”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq arritën një marrëveshje në Ohër më 18 mars për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën të dy liderët ranë dakord më 27 shkurt në Bruksel.

Ndërkohë të hënën në Bujanoc, Hill kishte deklaruar se dialogu Kosovë-Serbi i Brukselit “ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit” dhe se qëllimi i tij “nuk është të zgjidhë asnjë çështje tjetër”, gjegjësisht çështjet e pakicave në jug të Serbisë apo në pjesë të tjera të vendit.

Në këtë kontekst, Hill ka shtuar se çështja e pakicës shqiptare në Serbi është “ekskluzivisht çështje e shtetit të Serbisë” dhe se “nuk ka të bëjë fare me dialogun e Brukselit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.