Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me 14 vjet burg dy të akuzuar për shkak të veprës penale Dhunimi.
I akuzuari A.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Ndërsa, i akuzuari D.RR është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
“Të pandehurve A.O dhe D.RR iu vazhdohet masa e paraburgimit nga data 12.04.2023 e deri sa ky aktgjykimi të merr formë të prerë, por jo më gjatë se koha e dënimit me burgim të shqiptuar në aktgjykim, ndërsa iu llogaritet masa e paraburgimit në dënimet e shqiptuara”, thuhet në njoftimin për media të gjykatës.
Të pandehurit A.O dhe D.RR obligohen që t’i paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurës penale, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 100 euro secili veç e veç, kurse në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 50 euro secili veç e veç, në emër të ekspertizës së Institutit të Psikiatrisë Forenzike shumën prej 450 euro në mënyrë solidare, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
“E dëmtuara udhëzohet që kërkesën pasurore juridike ta paraqesin në kontest të rregullt juridiko-civil. Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate”, thuhet tutje.