Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Në shumë prej tyre, viktima janë vajzat e shpesh të dyshuar, janë persona të njohur të tyre të cilët përkundër moshës minorene të viktimave, krijojnë raporte intime me to dhe i keqpërdorin seksualisht.
Një ngjarje e tillë ka ndodhur së fundi në Prishtinë, ku një vajzë e mitur dyshohet se është dhunuar nga një person i moshës madhore.
Burimet e medias brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja është zbuluar në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm, ku një njësi policore që po patrullonte, ka ndalur për kontroll një veturë.
Gjatë kontrollit është vërejtur se brenda veturës janë shtatë persona, ku dy nga ta, përfshirë viktimën, ishin të shtrira në bagazhin e veturës.
Shtatë personat që ndodheshin brenda automjetit janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar nga hetuesit policorë. 15-vjeçarja që ndodhej në bagazh ka deklaruar para hetuesve policorë që ka kryer marrëdhënie seksuale me njërin prej të dyshuarve.
Bazuar në dëshminë e saj, ngjarja ka ndodhur në një motel në dalje të Prishtinës. Në kuadër të veprimeve hetimore, viktima është dërguar për ekzaminime gjinekologjike.
Ndërkohë është intervistuar edhe 22-vjeçari, i cili ka pranuar se ka qëndruar në motel me vajzën e mitur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.
DTV