/

Tre qytetarë nga Kosova arrestohen në Sarandë, tentuan t’ua kalonin kufirin ilegalisht 26 migrantëve

Tre qytetarë nga Kosova janë arrestuar në Sarandë, pasi janë kapur në flagrancë duke transportuar kundrejt fitimit, 26 emigrantë me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Policia e Shtetit ka njoftuar se të dyshuarit janë Sh. Sh., 25 vjeç, H. H., 22 vjeç dhe Sh. I., 47 vjeç – të tre banues në Kosovë.

Sipas njoftimit, me arrestimin e tyre është finalizuar operacioni policor i koduar “Border”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të transportimit të emigrantëve, kundrejt fitimit, për të kaluar ilegalisht në vendet e BE-së.

“Bashkëpunuan për të transportuar me 3 automjete, 26 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kapen në flagrancë dhe arrestohen 3 shtetas”, thuhet në komunikatë.

Të arrestuarve iu janë sekuestruar automjetet me të cilat kryenin transportimin, dhe celularët.

“Ky operacion, i dyti brenda pak ditëve, i finalizuar nga Policia Kufitare e Sarandës për goditjen e ndihmës së kundërligjshme, për emigrantët”, thuhet tutje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.