Nesër në varrezat e fshatit Zasellë të Mitrovicës do të varroset Jetmira Beka, e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj në Aachen të Gjermanisë. E ndjera do të varroset në ora 14:00.
Të shtunën e javës së kaluar në parkingun e një qendre tregtare, dorasi e kishte therur viktimën në prani të motrës së saj.
E ndjera dhe i dyshuari së bashku i kanë tre fëmijë. Për shkak të mosmarrëveshjeve, ata janë ndarë dhe si rrjedhojë nuk kanë qenë duke bashkëjetuar.
Andaj, gjykata ua ka caktuar kujdestarinë e përbashkët ndaj fëmijëve dhe në ditën kritike, ata është dashur të takohen për të bërë shkëmbimin e fëmijëve.
Ndonëse vrasja nuk ka ndodhur në sy të fëmijëve, ishte motra 18-vjeçare e viktimës ajo e cila e pa motrën e saj duke u qëlluar disa herë me thikë për vdekje.
E gjithë ngjarja ka ndodhur përballë selisë së policisë në Aachen të Gjermanisë, ku sipas medieve gjermane, ka pasur edhe kalimtarë rasti të cilët mund të jenë dëshmitarë në gjykatë.