Dëshmitari i shtatë i mbrojtur i ZPS-së gjatë dhënies së dëshmisë së tij kundër Pjetër Shalës në seancën e sotme gjyqësore foli për Sabit Gecin, për të cilin tha se në shtabin në Kukës e kanë quajtur “Qopa”.
Gjatë marrjes në pyetje nga ZPS-ja dëshmitari i shtatë tha se Sabit Gecin e njihte nga viti 1991 dhe e dinte se ishte invalid pasi ishte plagosur nga forca serbe nga helikopteri.
Ndonëse, edhe seanca e sotme gjyqësore po vazhdon të transmetohet kryesisht në seancë të mbyllur për publikun, por edhe në pjesë të redaktuara pas rikthimit në sesion publik, dëshmitari pretendon se 500 herë kanë pas rrahje gjatë mbajtjes në shtabin e Kukësit.
Ai këto deklaratat për rrahjet që u detyruan t’ia bënin njëri-tjetrit i tregoi pas pyetjes që prokurori i specializuar, Filippo De Minicis i bëri lidhur me një incident që kishte ndodhur në shtabin e Kukësit.
Dëshmitari me kodin 1 tha se Sabit Geci nuk e ka goditur askënd për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
“Kam harruar se kem pas shumë raste nuk kam qejf me cek emra me përzi emra pa nevojë se 500 herë kena pas rrahje, herë kanë do e herë do tjerë, e me emra po i harroj pak. Atë ditë kur na kanë rrahur me shuplakë se e kanë detyruar me sjell njëri-tjetrin atë ditë ka qenë Sabiti aty, por për këta tjerët kam harru edhe kush ka qenë. Po Sabiti nuk i ka ra kujt, por kanë qenë këta tjetër. Nuk ka pas karrigë ku mu ul e me na sjell se e panë që invalidë të kish pas naj karrige nashta kish sjell”, tha ai.
Tutje, prokurori i ZPS-së vazhdoi të kërkojë më shumë detaje për Sabit Gecin dhe mënyrën se si dëshmitari me kodin 1 e kishte kuptuar se ai ishte invalid.
E dëshmitari u shpreh se Gecin, i cili kishte nofkën “Qopa”, e njihte nga viti 1991 dhe se ishte në njohuri se ishte plagosur nga forcat serbe.
Prokurori: Thatë se Sabit Geci ishte invalid aso kohe, nga e kuptuat ju këtë një përshkrim mbase ju ka sjell në këtë përfundim
Dëshmitari: Gecin e njoh prej 91’ës edhe e di se u kanë plagosur prej forcave serbe prej helikopteri edhe e kam parë me këto që eci me këta shkopinjtë
Prokurori: E patë që ai mbante paterica, shkopinjtë aty në Kukës a dini gjë nëse Sabit Geci kishte edhe ndonjë nofkë
Dëshmitari: Ata gjithmonë e kanë thirrur “Qopa”, edhe unë e kam thirr gjithmonë prej se e njoh.
E pas kësaj deklarate të dëshmitarit, prokurori i specializuar,Filippo De Minicis vazhdoi me pyetje të tjera që iu bënë në seancë të mbyllur për publikun.
Dëshmitari i shtatë i ZPS-së i pyetur se në 2-3 ditët e para a kishin mundësi të lëviznin jashtë shtabit, tha se lëvizja e tyre ishte e kufizuar gjatë mbajtjes në shtab dhe se këtë e kishin kuptuar me lidhjen e duarve që u kishin bërë.
Në seancën e të mërkurës, trupi gjykues bëri të ditur se lidhur me pranimin apo mospranimin e deklaratës me shkrim të një dëshmitari në vend të dëshmisë me gojë, do të vendosë pas dëgjimit të dëshmisë së dëshmitarit të shtatë me kodin 1.
Gjatë ditës së djeshme, në pjesën më të madhe seanca ishte e mbyllur për publikun. E këtë masë mbrojtëse të dëshmitarit e kundërshtoi edhe vetë Shala, i cili kërkoi nga trupi gjykues që të bëhen sesionet publike.
Shala po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales, “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars të vitit 2021 nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
DTV