Policia e Kosovës mbrëmë në veri ka arrestuar dy shtetas të Serbisë, të cilët kanë qenë duke qarkulluar me një automjet me targa të Sllovenisë.
Tek të njëjtit, policia ka gjetur dhe janë konfiskuar disa pajisje të kundërligjshme, përfshirë maska kamuflazhi, emblema me simbole nacionaliste, dokumentacione, thika, etj.
E Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasditen e sotme ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy shtetasve të Serbisë, të pandehurve R.P dhe D.O, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë bashkëkryer veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Sulmi ndaj personit zyrtar” si dhe për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve R.P dhe D.O dhe të njëjtëve ju ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin. Gjyqtari i procedurës paraprake i ka analizuar të gjitha arsyet mbi shkaqet e caktimit të paraburgimit dhe ka gjetur se kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e paraburgimit është e bazuar, ngase ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit R.P dhe D.O kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe se janë plotësuar edhe kushtet e kërkuara me ligj për caktimin e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
DTV