/

Kurti mirëpret dhe informon mbi të rejat në vend studentët nga Maqedonia e Veriut

Në vazhdën e takimeve dhe aktiviteteve, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti studentët, profesorë dhe drejtues të Fakultetit të Shkencave Shoqërore Bashkëkohore pranë Universitetit të Evropës Juglindore nga Republika e Maqedonisë së Veriut.

Këta të fundit, përderisa gjenden në Kosovë për një vizitë tradicionale studimore, u njoftuan nga kryeministri mbi çështjet më relevante dhe aktuale lidhur me vendin. Gjatë bashkëbisedimit u piketuan përmirësimet e dukshme në luftimin e korrupsionit, sundimin e ligjit, lirive civile dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë. Kryeministri vuri në pah se të gjitha këto progrese janë të evidentuara nga raportet ndërkombëtare të Transparency International, World Justice Project, Freedom House e Reporterëve pa Kufij.

Njëkohësisht, u përmend edhe progresi ekonomik me ç’rast studentët kuptuan se Kosova në dy vitet e fundit ka pasur rritje mesatare ekonomike për 7%. Kryeministri shtoi se të hyrat tatimore janë rritur për 2/3 dhe investimet e huaja janë dyfishuar. Ndërkaq, për herë të parë në Kosovë eksportet pritet të arrijnë vlerën prej 1 miliard euro.

Përgjatë diskutimit mes kryeministrit Kurti dhe studentëve u shtrua tema edhe mbi zhvillimet e fundit në vend dhe për situatën në veri të Kosovës.

Në fund të këtij takimi përmbajtjesor, studentët patën mundësi që të shpalosin interesimin mbi çështje të ndryshme përderisa kryeministri u shpreh i gatshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve që burojnë nga kureshtja dhe interesimi i tyre.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.