/

Rusia sulmon Hersonin, vazhdojnë operacionet e shpëtimit në zonat e vërshuara të Ukrainës

Ekipet ukrainase të shpëtimit janë duke vazhduar tentimet e tyre për t’i shpëtuar mijëra njerëzit e bllokuar nga vërshimet e shkaktuara pas shkatërrimit të një dige të madhe në lumin Dnjepër në pjesën jugore të Ukrainës.

Rreziqet janë shtuar shkaku i bombardimeve të vazhdueshme nga forcat ruse nga ana tjetër e lumit dhe nga minat e zhvendosura shkaku i vërshimeve.

Oleksandr Prokudin, kryetar i rajonit të Hersonit, tha më 8 qershor se niveli i ujit është pothuajse gjashtë metra dhe një hapësirë prej 600 kilometrash katrorë është nën ujë – pjesa më e madhe e kësaj hapësire ndodhet në bregun e majtë të lumit Dnjepër, në hapësirën e pushtuar nga Rusia.

“Këtë mëngjes, niveli mesatar i ujit është 5.61 metra. Rreth 600 kilometra katrorë është nën ujë, prej yre 32 për qind në bregun e djathtë

dhe 68 për qind në bregun e majtë [të kontrolluar nga Rusia]”, tha Prokudin në një video-mesazh.

Ai tha se deri në orën 6 të mëngjesit, sipas kohës lokale, pothuajse 2.000 njerëz janë shpëtuar nga zonat e rrezikuara, shumica prej tyre nga zona Korabel e Hersonit.

Forcat ruse kanë vazhduar ta sulmojnë Hersonin dhe zonat përreth lumit Dnjepër, përkundër vërshimeve masive të shkaktuara nga shkatërrimi i digës Nova Kahovka, tha Natalya Humenyuk, kreu i Qendrës së Bashkuar për Koordinimin e Shtypit të Forcat Jugore të Mbrojtjes, më 8 qershor.

“Për shkak të rritjes së vazhdueshme të nivelit të ujit, armiku u detyrua të tërhiqet 5 -15 kilometra prapa nga pozitat e tyre paraprake dhe bombardimet nuk janë aq intensive tani. Por, rajoni Beryslavskiy (në lindje të Hersonit) vazhdon të jetë cak i bombardimeve”, tha Humenyuk për televizionin ukrainas.

Humenyuk gjithashtu tha se forcat ruse prishën linjat e komunikimit në zonën gjatë kohës së shpërthimit të supozuar me qëllimin për ta fshehur atë dhe se disa trupa të saj mund të jenë lënë të mbyten ose izolohen në kulme të ndërtesave. Pretendimet e saj nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Gjatë intervistave të dhëna për media amerikane dhe gjermane, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ai ishte i shokuar nga ajo që e quajti dështim të Kombeve të Bashkuara dhe Kryqit të Kuq për të ofruar ndihmë emergjente. Por, ai shtoi se ushtarët rusë ishin duke gjuajtur nga distanca, përderisa tentimet për shpëtim po vazhdonin.

Është ende e paqartë se çfarë e shkaktoi prishjen e digës, por Zelensky përsëriti qëndrimin e tij se shkatërrimi u bë nga forcat ruse qëllimshëm. Në anën tjetër, Rusia e ka fajësuar Kievin zyrtar për sulmin ndaj digës.

“Situata në pjesët e pushtuara të rajonit të Hersonit është absolutisht katastrofike”, tha ai në Twitter. “Pushtuesit thjesht i braktisën njerëzit në ato kushte të tmerrshme – pa shpëtim, pa ujë, thjesht në kulmet e ndërtesave në komunitetet e përmbytura”.

Qindra mijëra njerëz janë lënë pa qasje normale në ujë pijshëm, tha ai, duke shtuar se këtu përfshihen edhe shërbimet ukrainase, që mund të ndihmojnë vetëm në territorin e kontrolluar nga Ukraina.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e akuzoi më 7 qershor Ukrainën për shkatërrimin e digës, duke sugjeruar se Perëndimi e ndihmoi atë, përkundër që diga ishte nën kontrollin e Rusisë kur u shkatërrua.

Në pjesën e pushtuar nga Rusia, rreth 14.000 shtëpi janë përmbytur dhe 4.300 njerëz janë evakuuar, thanë shërbimet e sigurisë të Rusisë më 8 qershor, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, TASS.

Kryqi i Kuq paralajmëroi se vërshimet mund të kenë efekte të tmerrshme në tentimet për gjetjen e minave që mund të jenë vendosur në këtë zonë.

“Ne e dinim se ku ishte rreziku”, tha Eric Tollefsen, kreu i Njësisë për Kontaminimin e Armëve në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. “Tani ne nuk e dimë. E gjitha që dimë është se janë diku në rrjedhën e ujit”.

Minat e zhvendosura të transportuara nga uji mund të rrezikojnë seriozisht banorët lokalë dhe ekipet e shpëtimit, tha Tollefsen.

Diga Nova Kahovka, që është 30 metra e gjatë dhe 3.2 kilometra e gjatë, është rrugë kyçe për transport dhe ujitje, si dhe për furnizimin me ujë të Gadishullit ukrainas të Krimesë dhe centralit bërthamor në Zaporizhja.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) tha se përderisa niveli i ujit kishte rënë në pellgjet kyçe për ftohjen e reaktorëve bërthamorë të centralit, “opsionet rezervë janë në dispozicion” dhe se “nuk ka rreziqe afat-shkurtër për sigurinë bërthamore”.

Por, drejtori i përgjithshëm i IAEA, Rafael Grossi, u shpreh i shqetësuar për situatën në javët e ardhshme në një intervistë për Sky News, ku tha se “në rastin më të keq pa ftohje” ka rrezik për një aksident me pasoja tragjike për ambientin.

Situata është serioze, tha ai, sepse një central bërthamor ka nevojë për garanci kur vjen puna te uji për ftohjen e reaktorëve.

Shkatërrimi i digës erdhi në një kohë kur Ukraina po përgatitjet për një kundërofensivë të shumëpritur për t’i rimarrë rajonet e pushtuara nga Rusia që nga pushtimi që nisi në shkurt të vitit të kaluar.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Hanna Malyar, tha më 7 qershor se forcat ukrainase kanë nisur ofensivën në Bahmut, epiqendrën e sulmeve disamujore, duke avancuar për rreth 1.1 kilometra – avancimin e parë të trupave ukrainase në këtë zonë, pas një periudhe të gjatë në mbrojtje.

Më 8 qershor, Stafi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se forcat e Kievit i kanë zmbrapsur disa tentime të Rusisë për të rimarrë territoret e humbura përreth Bahmutit.

Trupat ruse gjithashtu tentuan pa sukses të avancojnë në drejtim të qyteteve Marijinka dhe Avdijivka të Donjeckut, 150 kilometra në jug të Bahmutit, thuhet në raportin e Stafit të Përgjithshëm.

 

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.