Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) e ka dënuar sulmin seksual ndaj një nxënëseje në Deçan.
Përmes një reagimi publik, RrGK ka shkruar se si organizatë është e shqetësuar nga shkelja e besimit dhe sigurisë së vajzave nëpër institucione arsimore në Kosovë.
“Jemi thellësisht të shqetësuara dhe të indinjuara nga një shkelje kaq e rëndë e besimit dhe e sigurisë së vajzave tona të reja. Ky akt i tmerrshëm i sulmit seksual shërben si një kujtesë e fortë se ne duhet t’i japim përparësi mbrojtjes së vajzave dhe të miturve brenda shoqërisë sonë, madje edhe brenda në shkolla.
Është koha e fundit që shoqëria dhe institucionet të marrin qëndrim kundër këtyre krimeve dhe të sigurojnë që autorët të marrin dënimin e merituar, pa asnjë kompromis”, thuhet në reagim.