Zbulohet serbi që u arrestua në Graçanicë nën dyshime për krime lufte

Policia e Kosovës njoftoi të martën se ka arrestuar një serb në Graçanicë që dyshohet për krime lufte në Kosovë.

Në njoftimin e PK-së thuhet se i dyshuari është me inicialet D.M. Ai dyshohet për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile.

E sipas Radio Graçanica, Dragisa Milenkovic është personi që u prangos nga autoritetet e Kosovës, teksa kanë publikuar edhe një fotografi të tij.

Ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, si gardian në burgun e Lipjanit “në mënyrë sistematike, ka ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”.

Policia e Kosovës tregoi se gjatë kontrollit të shtëpisë së dyshuarit ka sekuestruar si prova materiale, sikurse një revole, fishekë, një thikë ushtarake, një shufër metalike, por edhe dokumente, vendime, shënime dhe telefonin e tij personal.

“Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive Policia e Kosovës, me datën 21.06.2023, në orët e paradites, zonën e Graçanicës, ka ndaluar dhe ka shoqëruar në polici të dyshuarin në fjalë.

Zyrtarët kompetent nën autoritetin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake-Departamenti Special, kanë zbatuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: Një armë zjarri-revole e tipit “Zastava” cal.9mm, 136 fishek të kalibrit 9x19mm, thikë ushtarake e tipit SOG Speciality Knives, shufër metalike “Taiëan”, dokumente, vendime, notes dhe telefon personal, etj”, thuhet në njoftimin e policisë..

Në konsultim me prokurorin kompetent nga Prokuroria Speciale i dyshuari i lartcekur është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës të siguruar nga familja, nën dyshimin se i njëjti është përfshirë në veprën penale ‘krime lufte kundër popullsisë civile’.

Pas arrestimit të Milenkovicit, serbët lokalë u mblodhën para stacionit policor në Graçanicë dhe për një kohë të shkurtër bllokuan rrugën kryesore Prishtinë-Gjilan që kalon nëpër këtë komunë.

Ata kërkuan lirimin e të arrestuarit. Protesta e tyre pak më parë ka përfunduar. Deri më tani, nuk raportohet për asnjë incident gjatë kësaj proteste të serbëve në Graçanicë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.