“Në takim do të bëhen përpjekje për të krijuar një rend të ri pa Rusinë. Kjo nuk do të thotë se ne duam ta përjashtojmë Rusinë përgjithmonë, por kjo Rusi, Rusia e Putinit, nuk ka vend”, u tha Borell gazetarëve në Pragë.
Liderët e 44 vendeve evropiane, më 6 tetor, do të dërgojnë një sinjal të qartë nga Praga për izolimin e Rusisë dhe do të përpiqen të krijojnë një rend të ri pa të, tha përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.
“Ky është sinjali që duam të dërgojmë, se fatkeqësisht nuk mund të ndërtojmë një rend sigurie me Rusinë. Rusia është e izoluar… Nuk keni vend, të gjithë të tjerët janë këtu”, theksoi Borell.
Kryeministri i Republikës Çeke, e cila kryeson Bashkimin Evropian, Petr Fiala paralajmëroi për samitin e parë të 44 krerëve të shteteve në Evropë – të gjithë përveç Rusisë dhe Bjellorusisë – si një mundësi për diskutime më joformale mbi çështjet e sigurisë dhe paqes, krizës ekonomike dhe energjetike, si dhe synimet e mbrojtjes së mjedisit.
“Presidenca çeke e BE-së po përballet me sfida dhe kriza të mëdha nëpër të cilat po kalon Evropa dhe të cilat do të jenë temë e diskutimeve të para të komunitetit politik evropian, qoftë paqja dhe siguria, energjia, mjedisi, ekonomia”, tha nikoqiri i samitit, Fiala.
“Qëllimi nuk është që të arrihen konkluzione me shkrim, ndonjë përfundim me shkrim. Qëllimi është që të diskutohet dhe të krijohet një lloj marrëveshjeje kornizë lidhur me veprimet e mëtejshme të vendeve evropiane në ato fusha”, shtoi ai.
Republika Çeke, si mikpritëse e samitit, fillimisht ishte skeptike ndaj nismës së re politike të presidentit francez. Madje në Pragë e quajtën hapur si “kurthi i Macronit”, pasi këshilltari i kryeministrit çek Tomas Pojar, nga frika se vendet e BE-së që nuk janë të interesuara për anëtarë të rinj – përfshirë Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – mund të përdorin këtë format për të vonuar zgjerimin e BE-së.
“Vendet skeptike si Franca mund t’u ofrojnë vendeve kandidate Komunitetin Politik Evropian (KPE) dhe ta bëjnë atë një dhomë pritjeje të përjetshme për hyrje në BE-në”, tha eurodeputeti Aleksandar Vondra, ish-ministër i Mbrojtjes në qeveritë e Partisë Demokratike Qytetare.
Komunitetin Politik Evropian nuk do të jetë zëvendësues i procesit të zgjerimit dhe anëtarësimit në BE, në radhë të parë të Ballkanit Perëndimor, është thënë edhe nga zyrtarët çekë në prag të samitit, për të cilët, pavarësisht nga ana e spektrit politik, zgjerimi për këtë rajon është një prioritet i vazhdueshëm i politikës së jashtme.
“KPE-ja nuk është gjë tjetër, përveç se që të mendojmë se si BE-ja, në këto kohë të vështira kur kemi një luftë në Ukrainë, mund të krijojë një bashkëpunim më të ngushtë me një sërë vendesh jashtë BE-së, qoftë Britania e Madhe, Norvegjia apo Zvicra. Natyrisht edhe Ukraina dhe Turqia, sepse Parlamenti Evropian po zhvillon një sërë debatesh rreth asaj se çfarë mund t’i ofrojë BE-ja Ukrainës dhe Turqisë”, tha eurodeputetja çeke Dita Haranzova./REL/