Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë.
Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në Runik të Skenderajt, ku dy persona janë përfshirë në një konflikt verbal që eskaloi në dhunë brutale, ku njëri prej tyre tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Burimet kanë bërë me dije se i dyshuari 21-vjeçar e ka sulmuar fizikisht viktimën 43-vjeçar, ku për pasojë ia ka thyer hundën dhe i ka shkaktuar lëndime edhe në gojë.
Posa rasti është denoncuar, të njëjtat burime thonë se Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para dhe është arrestuar i dyshuari.
I riu që pësoi plagë të rënda u dërgua për trajtim mjekësor në Spitalin e Mitrovicës, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë para hetusve.
Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”.