Policia e Tiranës dhe sektori i antidrogës ka arrestuar pesë persona dhe ka sekuestruar 10 mijë doza ekstazi. Droga sinstetike sipas mediave në Shqipëri sapo kishte arritur në Tiranë dhe ishte e destinuar për tregun e brendshëm atje.
Gazetarja ka dhënë detaje të reja nga operacioni antidrogë që ka zhvilluar policia e Tiranës, ku ranë në pranga pesë persona, mes tyre edhe një vajzë. Gazetarja theksoi se hetimet kanë nisur prej pesë muajsh dhe vijojnë akoma për të zbuluar bashkëpunëtorët e tyre në këtë veprimtari.
Sipas gazetares, punonjësit e policisë janë infiltruar në disa raste si klientë ku edhe kanë vëzhguar nëpër lokalet e natës se si shitej droga ekstazi. Personat në fjalë kishin gjetur edhe një metodë të pazakontë për të shitur drogën, duke e mbështjellë me një letër , në të cilën ishte stampuar edhe logoja e “Louis Vuitton”.
“Ajo që binte në sy nga ky operacion është që janë vëzhguar nga agjentët e antidrogës me metoda speciale edhe në terren. Në disa raste janë bërë edhe blerje të stimuluara duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor, çka do të thotë që në disa raste punonjësit e policisë kanë qenë të infiltruar si klientë kryesisht në lokalet e natës dhe në zonën e ish Bllokut. Ajo që vinte në sy gjatë përgjimeve dhe mbajtjes në vëzhgim nga agjentët, ka rezultuar se këta persona por edhe të tjerë që janë bashkëpunëtorë, gjatë muajve të verës kanë shitur këto doza ekstazi edhe në zonat e plazhit. Konkretisht, në zonën e Himarës po Dhërmiut.“