Bashkimi Evropian ka paralajmëruar Rusinë se do të ketë “pasoja” për ata që u përfshin në organizimin e zgjedhjeve “të paligjshme” në rajonet ukrainase të pushtuara nga Kremlini, ndërkaq Gjermania tha se ka mundësi që blloku të vendosë sanksione të reja.
Votimet u mbajtën gjatë fundjavës.
Moska pretendoi më 11 shtator se partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, ka fituar zgjedhjet lokale në zonat ukrainase të pushtuara nga Rusia.
Brukseli dënoi votimet që tha se paraqesin “edhe një manifestim të shkeljes së ligjit ndërkombëtar”, duke shtuar se nuk do të njohë as mbajtjen e të ashtuquajturave “zgjedhje”, e as rezultatet e tyre.
“Ne fuqishëm e kundërshtojmë këtë përpjekje të kotë të Rusisë për të legjitimuar ose normalizuar kontrollin e saj të paligjshëm ushtarak dhe tentativën për aneksimin e pjesëve të territoreve të Ukrainës”, u tha në deklaratë.
“Udhëheqja politike e Rusisë dhe ata që u përfshin në organizim do të përballen me pasoja për këto veprime të paligjshme”.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë tha se mund të pritet që BE-ja të sanksionojë personat e përfshirë në organizimin e votimeve.
Që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, BE-ja ka vendosur 11 runde sanksionesh ndaj Moskës dhe personave të afërt me presidentin rus, Vladimir Putin.
Votimi për legjislaturat e instaluara nga Rusia në pjesët e pushtuara paligjshëm në rajonet e Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës nisi më 8 shtator dhe përfundoi më 10 shtator.