/

​Osmani dekoron me Urdhrin e Lirisë ish-kongresistin Joe dhe aktivisten Shirley DioGuardi

Presidentja Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në një ceremoni të mbajtur në Konsullatën e Kosovës, ka dekoruar me Urdhrin e Lirisë ish-kongresistin Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi.

Sipas Osmanit, urdhri është falënderim i qytetarëve të Kosovës për punën e tyre dhe kontributin e pandërprerë për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, por edhe avancimin e marrëdhënieve me ShBA-të.

“Ju keni qenë zëri ynë në kohë të errëta! Ju keni qenë shpresa jonë në kohën e pashpresë. Ju keni qenë katalizator të afirmimit të kërkesave tona kudo në botë, ndaj liria jonë bartë edhe firmën tuaj”, ka thënë Osmani.

Dekorimi i Joe DioGuardi ka përkuar me ditëlindjen e tij të 83-të.

“Ju të dy keni nga një vend të posaçëm në zemrën e secilit kosovar! Ju na përkujtoni sa e zorshme ka qenë lufta jonë për të drejta, liri dhe pavarësi. Ju na kujtoni se pa mbështetjen e miqve nuk arrihen rezultate, ndaj zoti i bekoftë SHBA-të, zoti e bekoftë miqësinë tonë të përjetshme!”, ka thënë Osmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published.