Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi.
Në këtë takim kryetari Konjufca e njoftoi ambasadorin Mizuuchi me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi.
Në komunikatën e Kuvendit të Kosovës thuhet se kryeparlamentari foli për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Japonisë dhe shfaqi interesimin për ta thelluar edhe më tej atë, në dobi të interesave reciproke dhe të miqësisë midis dy vendeve.
Po ashtu kryetari Konjufca falënderoi diplomatin japonez për mbështetjen që Japonia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në shumë fusha, duke potencuar rëndësinë që kjo përkrahje të vazhdojë, përfshirë aspiratat për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Ambasadori Ryuta Mizuuchi u interesua për zhvillimet aktuale në vendin tonë, ndërsa konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së Japonisë për Kosovën edhe në të ardhmen.