Nënkryetarja e Partisë për Liri dhe Drejtësi, Marinika Tepiq, tha se pret që pas arrestimit të Milan Radoiçiqit të zbulohet se nga i ka marrë armët grupi i tij paramilitar.
“Pas arrestimit të Radoiçiqit presim që hetimi të përgjigjet: Ku i ka marrë grupi i tij paramilitar kaq e shumë armë? Nëse e dimë se mund të merret vetëm nga magazinat ushtarake dhe policore, sepse fabrikat tona të dedikuara lejohen ta shesin ekskluzivisht në ushtri dhe polici ose për eksport”, ka thënë ajo.
Milan Radoiçiq, terrorist serb, i cili sipas pretendimeve të tij është organizator i konfliktit të armatosur në Banjskë të Kosovës ku humbën jetën katër persona, është arrestuar sot, njoftoi MPB-ja e Serbisë.
Kujtojmë se menjëherë para se të fillonte bastisja në pronave të Milan Radoiçiqit në Kosovë, ai mori përgjegjësinë e plotë për ngjarjet në fshatin Banjskë, kur katër persona mbetën të vrarë në një përleshje midis terroristwve dhe forcave kosovare.
“Unë, Milan Radojiçiq, nga baba Rajko, i lindur në Republikën e Serbisë, për shkak të spekulimeve të shumta që janë shfaqur, njoftoj opinionin se së bashku me bashkatdhetarët e mi nga veriu i Kosovës, më 24 shtator kam ardhur në veri të Kosovës, në fshatin Banjskë. Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i popullit serb nga ajo zonë që t’i rezistojë terrorit të cilit i ekspozohet përditë. I njoftoj të gjithë të përndjekurit në detyrë të popullit serb, që nga Kurti e deri te ndihmësit e shumtë të huaj, se personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit dhe ky akt nuk ka të bëjë fare me përfshirjen time të mëparshme politike. Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as autoritetet e Republikës së Serbisë, as kam marrë ndihmë prej tyre, sepse tashmë kemi pasur qëndrime të ndryshme për çështjen e terrorit të Kurtit”, ka shkruar Radoiçiq në një letër që është bërë publike dhe qw ishte lexuar nga avokati i tij, Goran Petronijeviq, në të cilin mori përgjegjësinë për ngjarjet në fshatin Banjskë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka mbrojtur në emisionin “Çirilica” Milan Radoiçiqin, njeriun që deri dje rrinte krah për krah me të në takimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.
Përkatësisht, duke folur për Radoiçiqin, Vuçiq tha se “me vite kanë gënjyer se Radoiçiq ka vrarë Oliver Ivanoviqin”, duke shtuar se drejtësia e Kosovës ka hequr dorë nga kjo.