Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, ka këmbëngulur se ekipi i tij ishte më i mirë se Newcastle United, përkundër fitores së anglezëve me rezultat të thellë 4-1.
Golat e Miguel Almiron, Dan Burn, Sean Longstaff dhe Fabian Schar e fundosën PSG-në në një natë të mjerueshme në Tyneside të mërkurën. Ishte humbja e tyre më e rëndë në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve që nga shtatori 2004 me humbjen që ndezi diskutime të ashpra të brendshme mes lojtarëve të PSG.
Megjithatë, një person që mendon se skuadra e tij nuk e meritonte të mposhtej, është trajneri i i tyre, i cili tha se rezultati i takimit nuk ishte real.
Në një intervistë për Le Parisien, Luis Enrique tha: “Ne nuk e merituam atë rezultat. Ne i kemi parë gabimet dhe situatat që mund të përmirësojmë. Rezultati i të mërkurës nuk pasqyron aspak skenarin e ndeshjes. Natyrisht, bëmë gabime që na kushtuan gola, por rezultati ishte shumë i ashpër. Po, Newcastle e meritonte të fitonte, por, ka hapësirë për përmirësim, rezultati nuk korrespondon me atë që pamë në fushë “.
Atmosfera në kampin e PSG-së nuk është e mirë pas humbjes ndaj një kundërshtari që ka luajtur ndeshjen e tyre të parë në Ligën e Kampionëve në dy dekadat e fundit.
PSG renditen në pozitën e dytë në grup me Newcastle si lider i grupit F. Ata po kalojnë në një formë të luhatshme edhe në elitën e futbollit francez gjithashtu. Të besuarit e Luis Enriques për momentin e gjejnë veten në pozitën e pestë në Ligue 1 pasi kanë fituar vetëm tri nga shtatë ndeshje të zhvilluara deri më tash.
Paris Saint-Germain ndeshjen e radhës në ligë e luan në udhëtim ndaj Rennes, aty ku do synohet me çdo kusht fitorja.