/

Januzi dhe Bahtjari sot paraqiten për herë të parë para gjyqit në Hagë

Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari u arrestuan dje, më 5 tetor 2023, në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të fletarrestimeve, urdhrave për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar të lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Januzi dhe Bahtjari u transferuan në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës sot, më 6 tetor 2023.

Zyra e Prokurorit të Specializuar e kreu arrestimin me ndihmën e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Sipas Ligjit mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë për të ushtruar kompetencat që ka policia e Kosovës në bazë të legjislacionit të Kosovës. Ditën e arrestimit, të akuzuarit morën kopje të aktakuzës në gjuhën amtare.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake e konfirmoi aktakuzën kundër Januzi dhe Bahtjari më 2 tetor 2023. Versioni i redaktuar publik i aktakuzës së konfirmuar gjendet në faqen e internetit të DHSK-së.

Sipas aktakuzës së konfirmuar, midis më së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Januzi dhe Bahtjari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 për ta nxitur dëshmitarin 1 që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, përfshirë përmes përdorimit të kërcënimit të rëndë.

Më tej aktakuza deklaron se Januzi dhe Bahtjari, në bashkëkryerje me individë të tjerë, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale me dëshmitarin 1. Sipas aktakuzës, kjo sjellje tregon se z. Januzi dhe z. Bahtjari synonin ta frikësonin dëshmitarin 1 dhe të pengonin persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Aktakuza e konfirmuar i akuzon Januzi dhe Bahtjari për: (i) frikësim dhe (ii) përpjekje me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht si dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

Paraqitja e parë e Bahtjari është caktuar të zhvillohet të hënën, 9 tetor, ora 14:00, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë. Paraqitja e parë e Januzi është caktuar të zhvillohet në orën 15:15, po më 9 tetor, në sallën e gjyqit të DHSK-së.

Paraqitjet e para do të mbahen në seanca publike. Gjatë paraqitjes së parë, Gjykatësi i Procedurës Paraprake garanton respektimin e të drejtave të të akuzuarve, përfshirë të drejtën për përfaqësim juridik, dhe që të akuzuarit të kuptojnë akuzat e paraqitura kundër tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.