Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se raportet e ngushta mes presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeterroristit serb, Millan Radoiçiq, të cilët kanë ngritur në një shkallë tjetër bashkëpunimin, të kujton raportet mes ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviq dhe Zheljko “Arkan” Raznatoviqit, kreut famëkeq luftës paramilitare serbe në ish-Jugosllavi.
“Marrëdhënia mes Vuçiqit dhe Radoiçiqit nuk është origjinale; këtë e kemi parë shumë herë më parë. Putini i vogël në Beograd duhet të ketë Prigozhinin e tij të vogël në Kopaonik. Ose, nëse kthehemi pak më tej në të kaluarën, del një paralele: Slloba i ri në Beograd ka Arkanin e tij të ri në Kosovë”, ka thënë kryeministri Kurti.
Madje, kryeministri Kurti e ka krahasur Radoiçiqin me Pablo Escobarin, i cili vlerësohet të jetë trafikanti më i madh në botë i kokainës dhe një nga kriminelët më të mëdhenj në historinë e njerëzimit, derisa kërkoi sanksionimin e Serbisë për përfshirjen në sulmin terrorist të 24 shtatorit, posaçërisht pas provave të paraqitura nga autoritetet kosovare.
“Arrestimi dhe lirimi i Radoiçiçit të kujton marrëveshjen e Pablo Escobarit me presidentin e Kolumbisë: Escobari në fakt do të pranonte të shkonte në burg me kusht që të vendosej në burgun e tij, të ndërtuar në mënyrë të pavarur, në të cilin do të kontrolloni komandantët dhe jo anasjelltas; mirë, gjoja do ta vuante dënimin atje”, ka argumentuar kryeministri Kurti.