/

Situata e sigurisë pas sulmit në Banjskë, Maqedonci e Jashari takojnë ndihmës-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë takuar sot Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, të shoqëruar nga drejtori i Divizionit të Operacioneve dhe Planifikimit të Shtabit Ushtarak Ndërkombëtar në Shtabin e NATO-s, gjeneralmajor Ulf Haeussler dhe drejtori i Ekipit Ndërlidhës Këshillues të NATO-s (NALT) gjeneral brigade, Ralf Peter Hammerstein.

Temë e këtij takimi ishte çështja e sigurisë në vend, në veçanti situata e krijuar në veriun e Kosovës si pasojë e sulmit të fundit.

Me këtë rast, ministri Maqedonci e falënderoi Goffus për vizitën e tij dhe përkushtimin e NATO-s për ofrimin e paqes dhe stabilitetit në vend, si dhe theksoi nevojën që së bashku me partnerët ndërkombëtarë të tejkalohen sfidat e paraqitura si dhe nevojën për fuqizimin e sundimit të ligjit.

Gjithashtu, ministri Maqedonci shprehu vendosmërinë e vendit tonë për orientimin euroatlantik, drejt vlerave të vendeve perëndimore, për bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n në dhënien e kontributit aktiv në sigurinë rajonale dhe globale.

Në këtë takim, ministri Maqedonci dhe Gjeneral Jashari theksuan se do të vazhdojnë angazhimin në drejtim të zhvillimit dhe forcimit të kapaciteteve të FSK-së për mbrojtjen e territorit, mbështetjen ushtarake për autoritetet civile dhe operacionet e mbështetjes së paqes, në  bashkëpunim dhe bashkërendim të plotë me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in.

Leave a Reply

Your email address will not be published.