//

Albion Rrahmani pritet të operohet pas lëndimit ndaj Andorrës

Futbollisti i kombëtares së Kosovës, Albion Rrahmani do të operohet në këmbë pas lëndimit që pësoi mbrëmë përballë Andorrës, kanë konfirmuar nga Federata e Futbollit të Kosovës.

“Në ndeshjen e mbrëmshme Andorrë – Kosovë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, sulmuesi ynë Albion Rrahmani ka pësuar lëndim, me ç’rast menjëherë është dërguar për ekzaminime mjekësore në spitalin e qytetit në Andorra La Vella. Pas këtyre ekzaminimeve ka rezultuar se ai ka pësuar frakturë në kyçin e këmbës së djathtë dhe do t’i nënshtrohet operimit” – thuhet në njoftimin e FFK-së.

“Të gjithë bashkëlojtarët dhe stafi i Kombëtares kanë qenë të prekur nga lëndimi i Albionit, por presin që ai ta kalojë sa më shpejtë periudhën e rehabilimit dhe të kthehet edhe më fuqishëm për ta treguar talentin e tij në skenën ndërkombëtare” – thuhet tutje në njoftimin e FFK-së.

Federata e Futbollit të Kosovës tha se është e përkushtuar që të kujdeset për shëndetin dhe mirëqenien e Albionit dhe se do të bashkëpunojë ngushtë me klubin e tij Rapid Bukuresht dhe ekspertët mjekësorë për të siguruar që operacioni dhe rehabilitimi i tij të jetë sa më i suksesshëm.

Kosova shënoi fitore mbrëmë ndaj Andorrës me rezultat 0:3. Kjo ishte fitorja e parë e Kosovës në këtë cikël eliminatorësh për kampionatin evropian 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published.