/

​Të enjten dy seanca, në votim edhe disa marrëveshje ndërkombëtare

Të enjten do të mbahen dy seanca plenare, ku deputetët do të votojnë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

Kështu është vendosur në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku deputeti i LVV-së, Armend Muja shtoi se PDK e ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në votim. Ai u shpreh se arsyeja e mos-pjesëmarrjes në votim të kësaj partie është sanksionimi i Kosovës në Bashkimin Evropian.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja u shpreh se zgjedhjet nuk janë në dobi të opozitës në këtë kohë, por që shtoi se për këtë nuk frikësohet Lëvizja Vetëvendosje.

“Të enjten do të jenë dy seanca, një seancë e cila në mëngjes do të mbahet me kërkesë të opozitës dhe e dyta do të mbahet sipas rendit të ditës dhe aty do të hidhen në votim disa marrëveshje ndërkombëtare. Marrëveshja ndërkombëtare që do të hidhet në votim është mirë që të kuptohet nga publiku, janë dy marrëveshje të financuara nga qeveria gjermane, një marrëveshje për bujqësi për zonën malore me qeverinë gjermane, tjetra është për KOST-in sa i përket riparimit të linjave të fuqisë 110 dhe 220. Një marrëveshje tjetër që hidhet në votim është me Qeverinë e Danimarkës sa i përket përdorimit të burgjeve të Kosovës, një marrëveshje tjetër është linja hekurudhore Prishtinë-Mitrovicë një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm”, u shpreh ai.

Muja shtoi se puna e Kuvendit po vështirësohet, meqë opozita nuk po heq dorë nga qëndrimet.

“Ju e dini që ne kemi pasur vështirësi që gjashtë-shtatë muaj që këto marrëveshje të votohen. Sipas nenit 19 dhe 20 kërkohet shumica që këto marrëveshje të votohen. Mjerisht, për shkak të abstenimit apo mos-votimit nga partitë opozitare, këto marrëveshje nuk kalojnë. Sot ne na u tha zyrtarisht nga Partia Demokratike të Kosovës që arsyeja pse këto marrëveshje nuk i votojnë është për shkak se Kosova është nën sanksione ndërkombëtare. Mendoj që është e padrejtë ndaj qytetarëve, sikurse që ishin sanksionet. Mendoj që edhe logjika e sanksionimit të Kosovës a qenë gabim tashmë, masat ishin të padrejta. Është për keqardhje që një subjekt politik paska marrë pozicionim të tillë, por gjithsesi e sinqertë që ta kuptojmë që pas 6-7 muajve na u tha sinqerisht se pse ato nuk po votohen”, shtoi ai.

Pas mbledhjes së kryesisë, Muja shtoi se qeveria i ka plotësuar të gjitha përkushtimet e Bratislavës dhe se u takon qytetarëve në veri të vendit që të ndryshojnë kryetarin e komunës.

“Ne si shumicë parlamentare e kemi bindjen që qeveria i ka plotësuar të gjitha përkushtimet e Bratislavës. Parimisht jemi shumë të interesuar që çdo subjekt politik të merr pjesë në zgjedhje, sikurse edhe qytetarët e atij vendi. Megjithatë, është e fundit që mund të moralizojë për këto çështje Lista Serbe. Unë besoj që sa i përket Listës Serbe kemi disa çështje për të sqaruar, sa i përket atyre çështjeve të mbarëvajtjes ose inicimit të procesit zgjedhor, udhëzimi administrativ është miratuar dhe i takon qytetarëve në rast që ata e duan që ta ndryshojnë kryetarin e komunës, ju takon qytetarëve”, u shpreh ai.

Teksa komentoi agresionin në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator, Muja shtoi se forcat e rendit duhet të kërkojnë ekstradimin e Milan Radojiçiqit.

“Forcat tona të rendit por edhe ato të sistemit gjyqësor duhet të bëjnë përpjekjet maksimale që të kërkojnë ekstradimin e tij, por jo vetëm të atij, të të gjithë pjesëmarrësve është e rëndësishme. Kosova duhet të përkushtohet edhe për urdhërdhënësit politik ata që e kanë mbështetur politikisht, financiarisht, logjistikisht. Aty duhet të jetë fokusi, nuk është e mjaftueshme vetëm për një individ, sepse aty kishte një aparat të tërë shtetëror. Vuçiq, Mojsiloviç, Vuçeviq që është ministër i Mbrojtjes, Vulin shef i BIA-s, këto janë figura me rëndësi jetike që t’i përkushtojmë më shumë vëmendje”, shtoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.