/

Komisioni Evropian rithekson për vizat: Nga 1 janari qytetarët e Kosovës lëvizin lirshëm

Komisioni Evropian ka konfirmuar se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk do të kthehet prapa.

Në një përgjigje me shkrim, nga ky organ i Bashkimit Evropian kanë përsëritur se liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

“Liberalizimi i vizave për mbajtësit e pasaportave të Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Ai do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë në BE pa viza për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore. Komisioni kishte vlerësuar që nga korriku 2018 se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave” thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas KE-së, Kosova ka punuar vazhdimisht për të përmbushur standardet.

Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Shengen.

E një deklaratë e bërë nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Tiranë më 17 tetor teksa foli për vizat ngjalli reagime të shumta.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron

E më vonë një sqarim lidhur me këtë deklaratë e ka dhënë Ambasada e Francës në Kosovë, e cila ka thënë theksi i deklaratës së Macronit ka qenë më shumë kërkimi i përgjegjësisë nga Vuçiqi për aktet e 24 shtatorit.

“Gjatë konferencës për medie me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb Vuçiq: të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi”.

Ambasada e Francës në Kosovë

Franca ka kërkuar zbardhjen e plotë të sulmit terrorist në Banjskë.

“Ne dëshirojmë që të ndriçohet në tërësi sulmi i 24 shtatorit dhe autorët e tij të dalin para drejtësisë”.

Sipas ambasadës franceze, nga Macroni Kosovës i është kërkuar angazhimi për ripërsëritjen e zgjedhjeve në komunat e veriut.

“Ai kërkoi nga të dyja palët që të angazhohen për riorganizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve dhe kthimin e tyre në institucionet kosovare”.

Ambasada franceze më tej ka thënë se Macroni nuk ka përmendur anulimin e vizave.

“Ai bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiq, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar. Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke. Prandaj, ai pret që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të riangazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme”, thuhet tutje në përgjigjen e Ambasadës franceze për mediat.

Ndryshe, në Kosovë tashmë ka filluar fushata informuese lidhur me liberalizimin e vizave organizuar nga Qeveria, ku bëhet e ditur se liberalizimi nuk ua mundëson qytetarëve të punojnë, të ndjekin shkollimin ose të të qëndrojnë më gjatë se 90 ditë brenda një periudhe 180 ditësh.

“Liberalizimi i vizave është një hap shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës! Kjo do të thotë që ju tani keni mundësinë e udhëtimit pa vizë për qëndrime afatshkurtra, duke përfshirë vizitat turistike dhe udhëtimet për të vizituar familjarët, disa herë brenda vitit. Kujdes, megjithatë, që të mos tejkaloni 90 ditët brenda një periudhe prej 180 ditësh”, thuhet në njoftimin e ekzekutivit.

Për të udhëtuar pa vizë, kërkohen dokumente të rëndësishme si pasaportë biometrike, dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit, rezervimin e vendit të qëndrimit, detajet e udhëtimit, dokumentet për veturën nëse udhëtoni me të, dhe dëshmi për mjete të mjaftueshme financiare.

“Kujdes, megjithatë, liberalizimi i vizave nuk ju mundëson të punoni, të ndiqni shkollimin, ose të kryeni studime në zonën Shengen. Shkeljet e rregullave apo abuzimi i kësaj të drejte mund të sjellin pasoja të rënda, duke përfshirë gjoba financiare, shënim në pasaportën tuaj dhe ndalim të hyrjes në zonën Shengen deri në 5 vite. Përdorni këtë informacion për të udhëtuar me sukses dhe pa vështirësi!”, thuhet tutje në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.