/

Kurti tha se Kosova pranoi ndërsa Serbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen e ofruar në Bruksel, reagimet pas takimit të së enjtes

Të enjten në Bruksel krerët evropianë dhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell kanë takuar ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ky takim nuk solli ndonjë dakordim mes palëve, pasi siç njoftoi Qeveria e Kosovës, presidenti serb ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshjen e ofruar nga evropianët.

Kryeministri Albin Kurti pas takimit me liderët evropianë në Bruksel, deklaroi se është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjeve me Serbinë, e cila garanton zbatimin e tyre, që përfshinë edhe draftin evropian për Asociacionin.

Në njoftimin e bërë nga Qeveria e Kosovës thuhet se, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023.

Ndërkaq, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha mbrëmjen e së enjtes se Kosova dhe Serbia nuk qenë të gatshme të pajtohen me njëra tjetrën në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Pas përfundimit të takimit në Bruksel, përmes një video-adresimi, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se janë shumë të shqetësuar për ngërçin në dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se sulmet e fundit terroriste të 24 shtatorit janë dënuar sërish nga Bashkimi Evropian në takimet që kanë pasur me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.

E, takimet në Bruksel u komentuan edhe nga analistët e ish-kryediplomatët e Kosovës.

Analisti Ehat Miftaraj e ka cilësuar si fitore për Kosovën takimin e së enjtes në Bruksel.

“Sa herë që Kosova pranon marrëveshje dhe Serbia refuzon, është lajm i mirë! Sa herë Kosova ka dëgjuar këshillat e ShBA-ve dhe ka koordinuar vendimmarrjen me këtë shtet, fundi gjithmonë rezulton me fitore të Kosovës”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Miftaraj ka thënë se Besnik Bislimi do të duhej të jepte dorëheqje, pasi ai kishte bërë një deklaratë lidhur me formimin e Asociacionit.

“Gjithsesi, kjo fitore diplomatike e Kosovës do të duhej të pasohej me dorëheqjen e Besnik Bislimit i cili ka dhënë fjalën publike se nëse formohet Asociacioni, Besnik Bislimi më nuk është në dialog. Besnik dialoguesi qëndro besnik dhe mbaje fjalën”, ka pohuar ai.

Ndërkaq, ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi nuk është rishikuar dhe se marrëveshjet e arritura nuk janë zbatuar.

“Nuk mund të ketë një rezultat të ri me eksperimentin e vjetër”, është shprehur ajo.

Haradinaj thotë se “Ende nuk ka mekanizma efektivë të zbatimit, nuk ka afate kohore, nuk ka parime, nuk ka qëllime të qarta se çfarë do të thotë normalizim”.

Takimin e së enjtes e ka komentuar edhe ish-ministri tjetër i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi.

Në platformën “X”, Selimi ka shkruar se Serbia ka bërë kërkesë false.

“Plani i ofruar nga QUINT në dialogun Kosovë – Serbi u pranua fillimisht nga të dyja palët si ‘bazë e mirë’. Por, më pas Kurti kërkoi që të nënshkruhet nga të dyja palët, gjë që Vuçiq e refuzoi.  Vuçiç gjithashtu kërkoi që të mos ketë vend në OKB për Kosovën. (një kërkesë false, pasi Rusia mund ta parandalojë këtë lehtësisht në KS të OKB-së)”, thekson ai.

Ndërkaq, profesori Arben Hajrullahu thotë se çdo qasje dhe qetësim i mëtejshëm i të dyja palëve do të inkurajojë me tej agresionin e Serbisë.

“Çdo qasje dhe qetësim i mëtejshëm i të dyja palëve do të inkurajojë më tej agresionin e Serbisë dhe terrorizmin e sponsorizuar kundër Kosovës”, thuhet në postimin e Hajrullahut në platformën “X”.

Ndryshe, Këshilli Evropian do të diskutojë sot për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë gjatë ditës së dytë të samitit të Bashkimit Evropian (BE), pas një dite të ngjeshur me takime të shumta por të pafrytshme në Bruksel.

Leave a Reply

Your email address will not be published.