/

Porti i Shëngjinit pikë pritëse për refugjatët, Drejtori: Është përcaktuar zona e karantinës

Porti i Shëngjinit do të jetë pika pritëse për refugjatët që synojnë Italinë, të cilët do të strehohen në vendin tonë deri në shqyrtimin e kërkesave të tyre për azil.

Për RTSH-në, drejtori i këtij Porti Sandër Marashi thotë se janë të gjitha kapacitete e duhura për të përballuar fluksin, duke mos cenuar aspak punën në kantierin detar.

“Porti i Shëngjinit i ka të gjitha kapacitetet, pa e penguar aktivitetin e tij. Vendi, zona e karantinës është e përcaktuar dhe do i jepet qeverisë italiane për ta menaxhuar,” thotë Sandër Marashi, drejtor i Portit Shëngjin.

Pas përpunimit të të dhënave në qendrën e pritjes në portin e Shëngjinit, azilkërkuesit do të transportohen në Gjadër.

“Refugjatët që do të vijnë nuk do të kenë kontakt me banorët e Shëngjinit apo Lezhës. Ata do të vijnë, do të karantinohen këtu, do të hipin në autobusë dhe do të ikin në destinacion, në kampin që është caktuar,” shprehet Marashi.

Projekti për ndërtimin e qendrës së pritjes, investim i palës italiane, pritet të nisë së shpejti nga puna për të qenë gati brenda pranverës së vitit të ardhshëm.

Marrëveshja e nënshkruar me Italinë, sikundër pohoi kryeministri Rama, synon frenimin e valës së emigrantëve në vendin fqinj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.