/

Kurti për 28 Nëntor do të vizitojë Vlorën, s’do të ketë mbledhje mes dy qeverive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për nder të festës së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor do të vizitojë Vlorën.

Ai ka njoftuar se do të bëjë homazhe në Vlorë për të nderuar dëshmorët dhe heronjtë që luftuan për lirinë e kombit.

Në një deklaratë për mediat, Kurti ka sqaruar se qëllimi i vizitës është nderimi i atyre që kanë dhënë jetën për liri dhe pavarësi, dhe jo për mbledhje qeveritare.

Megjithatë, ai ka shprehur besimin se në të ardhmen do të ketë mbledhje të përbashkëta mes dy qeverive shqiptare, pa dhënë detaje të mëtejshme për kohën e tyre.

Kryeministri ka theksuar se sonte do të jetë në Tiranë për të ndjekur një shfaqje teatrale përmbyllëse nën regjinë e Ilir Bokshit, ku pritet të ndahen edhe çmimet përkatëse.

Kurti ka rikujtuar gjithashtu kontributin e qeverisë në zhvillimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, duke theksuar se qeveria e tij ka arritur të nënshkruajë dhe zbatuar më shumë marrëveshje në përgjithësi krahasuar me qeveritë e tjera të Kosovës së pavarur, gjatë dy të tretave të mandatit të saj.

“Sigurisht se do të kemi edhe mbledhje të qeverive në të ardhmen. Ndërkaq, unë sonte do të jem në Tiranë, për shkak se teatrot tona do të japin një shfaqje përmbyllëse me regji të Ilir Bokshit dhe njëkohësisht do të japin edhe çmimet përkatese. Ndërkaq, nesër do të jem në Vlorë, ku do të bëjmë homazhe, nderim për panumër dëshmorë e heronj të cilët sakrifikuan që të jemi të lirë e të bashkuar. Deri më tani kemi 184 marrëveshje dhe nuk ka asnjë qeveri në Kosovën e pavarur e cila ka bërë më shumë marrëveshje dhe zbatim të tyre sesa kjo e jona për rreth 2/3 e mandatit”, u shpreh Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.