Dhuna në familje dyshohet të jetë arsyeja që një grua lindi para kohe foshnjën e saj, të dielën në Qendrën Klinikë dhe Universitare të Kosovës.
Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj konfirmoi se Policia e Kosovës është lajmëruar nga personeli i Klinikës, pasi që kanë parë shenjat e dhunës.
“Pacientja është pranuar të dielën dhe ka lindur menjëherë. Ka qenë e dhunuar, fizikisht e maltretuar. Është lajmëruar menjëherë policia prej personelit, kanë ardhë, kanë qëndru me të derisa është kry lindja” – tha Ndrejaj.
Sipas drejtorit, gjendja e nënës dhe foshnjës që vazhdojnë të jenë në klinikë, është stabile, ndonëse janë në përcjellje të doktorëve.
“Pacientja ka nevojë për ekzaminime shtesë, ka dhimbje të kokës, e ka kërkuar neurologu një CT të kokës. Në përgjithësi është mirë. Edhe foshnja është mirë, është pak para kohës, mirëpo jemi në përcjellje” – shtoi ai.
Drejtori Ndrejaj gjithashtu tha se sipas informacioneve nga punëtori social, i dyshuari, bashkëshorti i saj është marrë nga policia.