“Ukraina thotë se i duhet afërsisht 3-4 miliardë euro në muaj për të pasur burime të mjaftueshme për artikujt bazë,” tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian të premten hapën dritën jeshile për një plan për t’i ofruar Ukrainës 18 miliardë euro mbështetje financiare gjatë vitit të ardhshëm, pasi Presidenti Volodymyr Zelenskyy paralajmëroi se Rusia po përpiqet të nxisë një eksod refugjatësh duke shkatërruar infrastrukturën energjetike të vendit.
Plani, i miratuar në takimin e nivelit të lartë të udhëheqësve të BE-së në Bruksel, parashikon një ndihmë nga blloku 27-vendesh të dhënë me këste mujore, të ngjashme me mbështetjen financiare të SHBA-së për Ukrainën e shkatërruar nga lufta.
Ajo tha se kjo nevojë do të përmbushej në mënyrë të barabartë nga BE dhe SHBA, si edhe para shtesë nga institucionet financiare ndërkombëtare.
“Është shumë e rëndësishme për Ukrainën që të ketë një rrjedhë të parashikueshme dhe të qëndrueshme të të ardhurave,” u tha zonja von der Leyen gazetarëve.
Ajo tha se BE po përpiqet të sigurojë rreth 1.5 miliardë euro çdo muaj, duke e përshkruar si një financim që do të ishte “i qëndrueshëm dhe i besueshëm”.
Ministrat e financave të bllokut janë ngarkuar të krijojnë një sistem për grumbullimin e parave, të cilat do të ishin përveç 9 miliardë eurove në mbështetje makrofinancuese që BE-ja po i dërgon tashmë.
Në ditën e dytë dhe të fundit të takimit të nivelit të lartë, udhëheqësit e Bashkimit Evropian folën për nevojën e një gjykate të posaçme për krimet e Rusisë. Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka paralajmëruar se Rusia po përpiqet të nxisë një eksod refugjatësh duke shkatërruar infrastrukturën energjetike të vendit të tij të shkatërruar nga lufta.
Zonja Von der Leyen kritikoi sulmet “mizore dhe të qëllimshme” të Rusisë ndaj civilëve dhe infrastrukturës.
Ndërkohë, Kryeministri letonez Krisjanis Karins tha se lufta e Rusisë po bëhet gjithnjë e më brutale, duke vënë në shënjestër qytetarët ukrainas dhe infrastrukturën e tyre civile dhe energjetike.
“Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar në Evropë për të mbështetur Ukrainën, jo vetëm për të dënuar Rusinë, por gjithashtu të fillojmë të punojmë drejt një gjykate për ta mbajtur Rusinë edhe ligjërisht përgjegjëse për mizoritë,” tha ai.
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas shprehu gjithashtu nevojën e një gjykate të veçantë për krimet e agresionit të Moskës.
“…Sepse krimet e luftës ndiqen penalisht nga Gjykata Ndërkombëtare Kriminale dhe Ukraina, por krimet e agresionit mund të ndiqen penalisht vetëm nga një gjykatë e veçantë”, tha ajo.
Kryeministri i Belgjikës Alexander De Croo tha se përgjigjia e bashkuar ka dhënë rezultate, por theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së qytetarëve të BE-së për Ukrainën.
“Nuk është e lehtë. Është jashtëzakonisht e dhimbshme. Por përpjekjet tona dhe ato që u kërkojmë popullatës sonë, sjellin rezultat. Dhe kjo është e rëndësishme për të mbajtur qytetarët tanë të motivuar”, tha ai.
Pothuajse tetë muaj pas luftës, Rusia po vë gjithnjë e më shumë në shënjestër centralet e Ukrainës, ujësjellësit dhe infrastrukturën tjetër kyçe me sulmet me raketa dhe dronë.
Kjo vjen ndërsa BE-ja vuan pasojat e nevojës urgjente për t’iu larguar varësisë tek gazi dhe nafta ruse, ndërsa lufta shkakton rritje çmimesh dhe luhatje në treg.
Udhëheqësit e bllokut me 27 vende nuk arritën të enjten të binin dakord për një tavan çmimesh për gazin, pasi Gjermania e kundërshtoi një gjë të tillë.
Më shumë se 4.3 milionë qytetarë ukrainas janë regjistruar për strehim të përkohshëm në BE.
Në një projekt-deklaratë të takimit të nivelit të lartë, udhëheqësit premtojnë “të qëndrojnë me Ukrainën për aq kohë sa të duhet” me mbështetje të vazhdueshme politike, ushtarake dhe ekonomike.
Projekt-deklarata e siguruar nga agjencia Associated Press, pritet të miratohet më vonë të premten, por formulimi i saj mund të pësojë ende ndryshime.
BE-ja është thellësisht e ndarë për mënyrën se si do të trajtojë ardhjen e emigrantëve pa autorizim, por shumë vende, veçanërisht në Evropën Qendrore dhe Lindore, kanë lënë mënjanë kundërshtimet për të pritur në masë refugjatët nga Ukraina./VOA