Skaneri në burgun e sigurisë së lartë në Peqin nuk ka funksionuar për disa ditë. Ky informacion është konfirmuar dhe vjen nga mediat në Shqipëri, teksa ngre dyshime për mënyrën se si shkoi në dorën e Sokol Mjacajt pistoleta me mulli, të cilën ai e përdori për të vrarë Arben Lleshin.
Skaneri është paisja në të cilën kalojnë çdo ditë punonjësit e policisë së burgut dhe i gjithë stafi civil dhe që detekton e jep sinjale për çdo send metalik. Po ashtu përveç skanerit në burgun e sigurisë së lartë nuk kanë funksionuar për pak kohë as disa kamera të sigurisë.
Sipas prokurorisë mosfunksionimi i skanerit dhe kamerave të sigurisë i ka krijuar lehtësia Sokol Mjacajt, dhe bashkëpuntorëve të tij për të bërë të mundur futjen e pistoletës brenda në burg. Po ashtu Mjacaj armën e kishte fshehur në qelinë e tij në, disa raste ai e ka mbajtur me vete gjatë kohës që lëvizte nëpër ambiente të ndryshme të burgut.
Të gjitha këto detaje dhe dinamika e ngjarjes, kanë bërë që grupi hetimor të krijojë dyshimin se Mjaçaj nuk ka vepruar i vetëm dhe se ka pasur edhe bashkëpuntorë të tjerë. Momenti kur Sokol Mjacaj ka dalë nga qelia e tij për në zonë e ajrimit, aty ku pati mundësinë që të afrohej pranë qelisë së Arben Lleshit që ndodhej në katin e parë dhe ta ekzekutonte nuk është i filmuar nga kamerat. Burime bëjnë me dije se në pamje shihen vetëm të dënuar që vrapojnë.
Këto dyshime të grupit hetimor përforcohen edhe më shumë nga e shkuara e Arben lleshit, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Agim hoxhës, në 2012 në Angli. Lleshit po ashtu nga 2013 deri në 2020 i janë vrarë 4 të afëm të tjerë. Hetuesit janë duke verifikuar të gjithë të dënuarit që kanë pasur kontakt me Mjaçajn, shkruan KlanNews.
Mjacaj ka qenë kontradiktor në dëshminë e tij, ndërsa ka dyshime të forta se ai ka vrarë Lleshin, si porosi nga persona të tretë për motive gjakmarrjeje. Burime bëjnë gjithashtu me dije se 4 të afërm të Agim Hoxhës, janë shoqëruar për tu marrë në pyetje nga policia. Ata janë të moshës 20-25 vjeç.
Policia ka ushtruar kontrolle dhe ka marrë celularët e tyre, nëse kanë pasur kontakte apo biseda të dyshimta, që lidheshin me Sokol Mjacajn. Policia e Elbasanit kërkon të marrë në pyetje dy të afërm të Sokol Mjacajt të cilët e kishin takuar kohët e fundit në burgun e Peqinit.