Ndërsa partia në pushtet e presidentit Aleksandër Vuçiq feston fitoren në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, opozita ka akuzuar qeverinë serbe për vjedhjen e vullnetit elektoral në zgjedhjet e Beogradit, ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve lokale në kryeqytet dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të protestojnë.
Shumicën në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Serbi e ka fituar lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet”, e cila ka fituar 47,21 për qind të votave, ka bërë të ditur Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (KRZ). Këto janë rezultatet e marra në bazë të 7612 vendvotimeve të përpunuara nga gjithsej 8273.
“Vijon lista “Serbia kundër dhunës” e cila ka fituar 22,86 për qind të votave, pastaj Partia Socialiste e Serbisë – 6,67, ndërsa lista zgjedhore “Shpresë për Serbinë” ka 4,94 për qind. Lista e radhës është “Ne – zëri i popullit – Branimir Nestoroviq” me 4,63 për qind, ndërsa Milica Gjurgjeviq Stamenkovski – Boshko Obradoviq kanë 2,8 për qind të votave”, tha KRZ.
Sa i përket zgjedhjeve krahinore, në 1.605 nga 1.776 vendvotime të përpunuara, lista e SNS ka fituar 48.75 për qind të votave.
Në vend të dytë renditet lista “Serbia kundër dhunës”, e cila në zgjedhjet parlamentare ka fituar 22,91 për qind të votave, ndërsa në zgjedhjet rajonale ka fituar 20,19 për qind të votave.
Lista zgjedhore e Ivica Daçiqit është e treta për nga numri i votave në zgjedhjet parlamentare, me 6,66 për qind. Në zgjedhjet provinciale, kjo listë fitoi 5.17 për qind.
Ndërkaq, mediat serbe bëjnë të ditur se koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” kërkon anulimin e zgjedhjeve në Beograd dhe se po thërret qytetarët në protestë.
“Bazuar në 81 për qind të votave të numëruara në Beograd, lista e SNS ka 21 mijë vota më shumë se lista jonë Serbia kundër dhunës”, njoftoi koalicioni “Serbia kundër dhunës”.
Opozita akuzon qeverinë se ka sjellë më shumë se 40,000 njerëz pa vendbanim të ligjshëm në Beograd për të mbështetur listën e SNS, e cila ndryshoi në mënyrë drastike vullnetin elektoral të qytetarëve të Beogradit.
“Kërkojmë anulimin e zgjedhjeve dhe përsëritjen e votimit për bashkinë”, u përgjigjën ata.
Ata kanë thirrur qytetarët e Beogradit në orën 18:00 për të protestuar kundër, siç thonë ata, vjedhjes së vullnetit elektoral para Bashkisë së Beogradit, prej nga do të drejtohen për në selinë e Komisionit Republikan Zgjedhor në “Kral Milan”.
Presidenti i Serbisë dhe anëtar i SNS-së, Aleksandar Vuçiq, mbrëmë ka thënë se lista “Serbia nuk duhet të ndalet” padyshim se ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet lokale në Beograd. Ai tha se është i sigurt se Aleksandar Shapiq do të mbetet kryetar i Beogradit.