/

Bashkimi Evropian: Kosova të marrë vendimin e njëjtë si Serbia për njohjen e targave

Zëdhënësi për politikë të jashtme i BE-së Peter Stano thotë deklaroi se blloku e mirëpret vendimin e Serbisë për njohjen e targave të Kosovës dhe largimin e letrave ngjitëse.

“Ne mirëpresim vendimin e Serbisë për të njohur zyrtarisht targat e automjeteve RKS të lëshuara nga Kosova. Ky vendim është një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit, si dhe në angazhimet e kaluara të Dialogut lidhur me Lirinë e Lëvizjes. Tregon se është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo përbën gjithashtu një hap drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit“, thuhet në përgjigje.

Më tej, Stano bën të ditur që Kosova do marrë vendimin e njëjtë.

“Ky vendim i hap rrugën heqjes së plotë të regjimit të afisheve. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të njëjtë“, shton Stano.

Qeveria e Serbisë ka marrë vendim gjatë së hënës për të njohur targat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës dhe të mundësojë qarkullimin pa letra ngjitëse që mbulojnë simbolet e Kosovës gjatë qarkullimit nëpër territorin e Serbisë. Siç ka njoftuar shefi i së ashtuquajturës Zyra për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ky vendim hyn në fuqi më 1 janar 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published.