/

Liberalizimi i vizave në Kosovë, reagon Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Vlerësojmë integrimin ndërkombëtar!

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e liberalizimit të vizave dhe lëvizjen e lirë në shtetet e Bashkimit Europian.

Në një reagim zyrtar, KASH shkruan se qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës dëshmuan se nuk dorëzohen dhe nuk heqin dorë nga rrugëtimi drejt integrimeve euro-atlantike, megjithë pengesat e shumta që u dalin gjatë këtij rrugëtimi.

Reagimi i plotë:

Viti 2024 filloi mbarë për qytetarët e Republikës së Kosovës, një vit që filloi me lirinë e lëvizjes, liri kjo e mohuar padrejtësisht për një kohë të gjatë.

Si gjithnjë, qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës dëshmuan se nuk dorëzohen dhe nuk heqin dorë nga rrugëtimi drejt integrimeve euro-atlantike, megjithë pengesat e shumta që u dalin gjatë këtij rrugëtimi.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është krenar që liberalizimin e vizave nga BE për qytëtarët e Kosovës e ka patur prioritet në agjendën e tij. Në të gjitha takimet diplomatike dhe në një numër të madh deklaratash, KASH ka argumentuar dhe kërkuar liberalizimin sa më parë të vizave për qytetarët e Kosovës.

Republika e Kosovës, shembull demokracie për gjithë rajonin, çka po vërtetohet çdo ditë e më shumë, si dhe qytetarët e saj e meritonin lëvizjen e lirë prej kohësh.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson se integrimi i Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht anëtarësimi në NATO, është veprimi më i rëndësishëm që do të siguronte përfundimisht sigurinë në rajonin tonë dhe më gjerë.

Gëzuar Kosovë!

Leave a Reply

Your email address will not be published.