/

Caktohet avokati kujdestar për Salih Mustafën

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë është caktuar Laurens van Puyenbroeck si avokat kujdestar ndaj Salih Mustafës, i cili është dënuar nga të dy shkallët e kësaj gjykate për krime lufte.

Me anë të vendimit të datës 29 janar, administratorja e DHSK-së, Fidelma Donlon njoftoi kolegjin e Supremes për ndryshimin e ri sa i takon përfaqësimit të Mustafës në procedurat e mëtutjeshme gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në bazë të nenit 21(5) të Ligjit dhe rregullit 26 të Rregullores, Administratorja informon Kolegjin e Gjykatës Supreme për caktimin e Laurens van Puyenbroeck (‘Z. Van Puyenbroeck’) si avokat kujdestar për Salih Mustafën (‘Z. Mustafa)”, thuhet në vendim.

Sipas këtij vendimi, me 25 janar Kolegji i Supremes nxori vendim me anë të secilit kishte deklaruar se emërimi i avokates Venkateswari Alagendra në këtë çështje nuk kishte efekt juridik, kështu duke urdhëruar administratoren që në mënyrë urgjente të caktohet një avokat kujdestar për Mustafën.

“Më 25 janar 2024, Kolegji i Gjykatës Supreme nxori një vendim në lidhje me konfliktin e interesit të avokates mbrojtëse, znj. Venkateswari Alagendra (‘Znj. Alagendra’), duke deklaruar se vendimi i Sekretarit për të emëruar znj. Alagendra nuk ka efekt juridik dhe duke urdhëruar Sekretarin si çështje urgjente, të caktojë avokatin kujdestar për të përfaqësuar z. Mustafa derisa të zgjidhet emërimi i avokatit”, thuhet në vendim.

Tutje, thuhet se më 26 janar, Administratorja caktoi në këtë pozitë avokatin Van Puyenbroeck.

“Në bazë të rregullit 82(3) të Rregullave, Regjistruesi parashtron se ky njoftim është dorëzuar si publik, ndërsa Aneksi 1 është depozituar në mënyrë konfidenciale, pasi përmban informacione personale në lidhje me avokatin e detyrës”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Ndryshe, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, më 17 janar 2024 është caktuar paneli i gjyqtarëve të Supremes për të vendosur lidhur me kërkesën e Salih Mustafës, me të cilën ka kërkuar zgjatjen e afatit për dorëzimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Paneli përbëhej nga gjykatësit Ekaterina Trendafilovën si kryesuese së bashku me dy anëtarët, gjykatësit Christine van den Wyngaert dhe gjykatësin Daniel Fransen.

Pasi Apeli shpalli aktgjykim dënues prej 22 vjetësh për Mustafën, ky i fundit më 3 janar 2024 kishte kërkuar që ta zëvendësojë avokatin e tij Julius Von Bone, duke emëruar avokaten Venkateswari Alagendra si avokate të tij të re. Kjo gjë ishte aprovuar nga administratorja.

Ndërsa, Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës ka parashtruar se ekziston një konflikt interesi si rezultat i emërtimit të Alegandres si përfaqësuese e Mustafes duke u nisur se ajo përfaqëson Jakup Krasniqin në shkallën e parë të kësaj gjykate.

Pas kësaj, Kolegji i Gjykatës Supreme ka theksuar se ka nxjerr vendimin pa pritur përgjigjen e Alagendrës, pasi kanë vlerësuar se çdo përgjigje e saj do të ishte e parëndësishme. Sipas vendimit, Kodi i Etikës kërkon që të merret pëlqimi nga klientët potencialisht të prekur dhe të njoftohet paneli i cili pastaj do të përcaktojë se a ekziston ndonjë konflikt interesi. Kështu, Kolegji vendosi që emërimi i Alagendrës s’ka efekt juridik kështu duke kërkuar urgjentisht emërimin e një avokati kujdestar për Mustafën derisa të bëhet emërimi i një avokati të ri.

Ndryshe, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, Ekaterina Trendafilova ka caktuar gjyqtarin Gilbert Bitti si gjyqtar i vetëm për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit kundër Salih Mustafës për zhdëmtimin e viktimave.

Ndryshe, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave.

Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë, ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vjet burgim. Ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.

Kurse, Gjykata e Apelit të Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vjetësh burgim për krime lufte.

Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehsuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.

Ndërsa, prokurorja e specializuar, Kimberly West e quajti “fitore për drejtësinë” vendimin e Apelit ndaj Salih Mustafës.

Kronologjinë e rastit ndaj Salih Mustafës mund ta lexoni KËTU.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published.