/

Shqetësuese dhuna te të miturit, rreth 2 mijë raste për një vit në Kosovë

Të miturit e moshës 14-18 vjeç po vazhdojnë të përfshihen në vepra të ndryshme të dhunshme si rrahje, aksidente në komunikacion, madje edhe në vrasje e armëmbajtje pa leje. Derisa ata mund të dënohen deri me 10 vjet burg, po kërkohet të ndryshohet ligji, pasi po konsiderohet si jo i ashpër kur bëhet fjalë për raste të tilla. Psikologët ndërkaq tregojnë mbi arsyet e mundshme të dhunës dhe masat urgjente që duhet ndërmarrë për parandalimin e tyre.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vetëm vitin e kaluar nga të gjitha rastet, 1.992 prej tyre janë evidentuar se janë kryer nga personat nën moshën 18-vjeçare.

“Gjatë vitit 2023, nga të gjitha rastet e evidentuara në Policinë e Kosovës, 1.992 raste janë me të dyshuar të mitur në moshën e përgjegjësisë penale 14-18 vjeç. Nga numri i përgjithshëm dominojnë rastet si lëndim i lehtë trupor gjithsej 438 raste, aksidente në komunikacion 303 dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve 193 raste”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Rasti tragjik i vrasjes së të riut Lulzim Fejzullahu në Podujevë ka ngritur debate nëse ligji ndaj të miturve që kryejnë vepra të ndryshme është i duhur.

Avokati Tomë Gashi thotë se të gjitha institucionet duhen të punojnë së bashku në edukimin e fëmijëve, në mënyrë që të parandalohet dhuna në mesin e tyre.

“Dënimi maksimal është i paraparë me 10 vjet burg dhe atë burg për të mitur… Dhe ne besojmë që do të duhej të mos ketë dënime të ashpra të tilla në kuptimin që të miturit nuk do të duhej të kryejnë asnjë vepër penale, posaçërisht kaq të rëndë, por në prizmin tim është paksa e rëndë, por duket se po i imitojnë të rriturit dhe duke pas parasysh çështjen e edukimit të fëmijëve tanë e cila është jashtëzakonisht i nivelit të ulët, shkollimi nuk është adekuat. Janë një mori çështjesh që ndikojnë që të miturit të kriminalizohen, po aq sa edhe të rriturit, duke pasur parasysh që nuk ka kontrolle shpeshta të policisë. 01:38 Do të duheshin të punonin të gjithë së bashku, shkollat dhe qendrat për punë sociale. Janë çështje të edukimit që duhet të merren me fëmijë të gjitha institucionet dhe më së pakti do të duhej në një situatë ideale të merret policia, prokuroria dhe gjykata,” tha Gashi.

Avokati Gashi shtron nevojën e ndryshimit të kodit penal për të miturit, pasi qëvepra penale është e pariparueshme dhe dënimet do të duhej të ishin në proporcion me rrezikshmërinë që ato krijojnë.

“Ky ligj është jashtëzakonisht i vjetruar, kemi më tepër se ndoshta gjysmë shekulli që përdoret ligji i njëjtë apo kodi penal për të mitur…03:57 Duhet të ketë ndryshime të kodit penal për të mitur dhe duhet të kemi ndryshime ndoshta të të gjithë legjislacionit, të parashihen dënime krejtësisht të tjera kur dikush kryen një vepër penale me qëllim dhe posaçërisht kur ia merr jetën dikujt duke pretenduar se është i mitur dhe ndoshta nuk do të dënohet dhe aq shumë… 04:48 Dallimi prej disa viteve apo disa muaj nuk do të duhej të konsiderohej që është një rrethanë jashtëzakonisht lehtësuese për shkak se vepra apo dëmi është i pariparueshëm dhe do të duhej të ishin dënimet në përpjesëtim me rrezikshmërinë që e krijojnë dhe me veprat penale të rënda që dikush eventualisht i kryen,” tha ai.

Ndërsa, psikologu Petrit Thaçi thotë se duhet hulumtuar zanafilla e të miturve në familjet në të cilat ata janë rritur dhe edukuar, për të parë se cilat janë arsyet e vërteta që i shtyjnë ata të bëhen të dhunshëm.

Ai tregon edhe arsyet e mundshme, të cilat mund të ndikojnë në krijimin e një natyre të dhunshme te personat e mitur.

“Te të rinjtë padyshim që ne së pari do të hulumtojmë zanafillën në strukturat e tyre të familjes. Zakonisht, nëse jemi rritur duke parë skena dhune, duke konceptuar që të drejtat tona po na mohohen, po na denigrohet apo cenohet një pjesë e personalitetit, atëherë ne mbushemi me energji të mllefit, gatishmërisë për hakmarrje në një formë apo për t’u zbrazur diku apo në diçka. Nganjëherë nuk zbrazemi në objektivat ose në personat që na kanë shkaktuar traumën fillestare, por aty ku është më e lehtë dhe më e mundshme. Megjithatë, nuk është gjithmonë kjo si arsye. Nganjëherë krijojmë në rrethet sociale dhe familjarë disa koncepte të një imazhi apo vetë imazhi të lakmuar, një lloj autoritarizmi si shkak se ashtu sillet familja jonë, prindi jonë, rrethi jonë i ngushtë social dhe ne i krijojmë një emërtim që ne jemi “dikush”, ne jemi të fuqishëm dhe pozicionin tonë duhet ta njohë dhe pranojë të tjerët. Ne mundohemi me imponim të mbajmë atë lloj pozicioni…02:08 Kemi modele që marrim nga filmat, këngët, pjesë të ndryshme të medias njëfarë forme, kemi ndonjëherë shthurje që burojnë si shkak i abuzimeve të narkotikëve, alkoolit apo sjelljeve tjera me natyrë delikuente. Të gjitha këto mund të shpërthejnë në një moment të caktuar,” shprehet Thaçi.

Psikologu Thaçi potencon rëndësinë e arsimit dhe edukimit që nga fëmijëria, pasi kjo ndikon në zhvillimin e mëvonshëm të personalitetit në moshë të pjekur dhe se për këtë një rol të madh duhet ta kenë edhe institucionet përkatëse së bashku me vetë prindërit.

“Vlera e edukatës që i japim qysh në fëmijëri të hershme, vlera të instalimit të konceptit të dashurisë, drejtësisë, barazisë, jo nevoja që ta glorifikojmë detyrën që ne të jemi patjetër të ngritur dhe konkurrent ose mbi të tjerët në një fushë, dhe me arrogancë të përfitojmë atë. Aspekti i arsimimit, profesionalizmi në arsim, gjatë atyre objektivave që kanë karakter edukativ dhe kulturor në përgjithësi, bashkëpunimi me institucione tjera profesionale që njohin zhvillimin e personalitetit dhe objektivave shëndetësore ose mentale, të gjitha të ndërthura duhet të krijojnë një klimë të përshtatshme ku i riu është i orientuar më shumë në përvetësimin e vlerave të rëndësishme arsimore, konform të nevojave të tij fizike, shëndetësore, intelektuale dhe jo shthurje dhe jo në këto përcaktime për të përmbushur një pjesë të egos, pasi kjo ego shumë shpesh është një ego imagjinare dhe nuk kryen asnjë lloj funksioni praktik në jetën e tyre të përditshme”, tha Thaçi.

Ndryshe, mbi 176 mijë vrasje ndodhin çdo vit mes të rinjve 15-29 vjeç ose 37 për qind të totalit të vrasjeve në botë, sipas një raporti të OBSH-së në tetor 2023.

Leave a Reply

Your email address will not be published.