Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi, i ka reaguar ambasadorit amerikan në Kosovë Jeff Hovenier, i cili ka thënë se vendimi i Kosovës për ta zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës.
Lajçi ka pyetur Hovenierin, se si mund të luftohet shpërlarja e parave dhe krimi ekonomik, nëse shtyhet afati për trasnportin e dinarit në Kosovë.
Ai poashtu ka pyetur ambasadorin se ku mbeti pavarësia e Kosovës, për t’cilën u derdh gjak e Amerika shpenzoi miliona dollarë e bomba.
“Zoti Ambasador!
Nuk dua me thartua gjakun, n’pragun e 16 viteve t’pavarësisë dhe as me gandue e randue mikun (Amerikën), por as me lazdrua çarkalozin tim Albinin, që herë fluturon pa krah, herë ecë rrugës i vetëm, sepse e vërteta ti largon krejt miqtë, që ti ke mendua se i kishe miq!
Tani, Amerikën nuk mjafton me dashtë vetëm me fjalë t’bukura, (siç ban ky çarkalozi im Kryeministër), po me punët e mira që i shkojnë për shtati mikut, Amerikës, edhe kur ty të shtrëngojnë rrobat që ti ka pre terziu, (prapë Amerika)!
I vetëm do t’ecësh sokakut, nëse ia thue mikut troç t’vërtetën, dhe ka me t’kushtua me vetminë e padurueshme, po që se nuk dite t’ia thuesh me t’butë e me t’lëmueme t’vërtetën që djegë!
Tani,
Z.Ambasador, na trego si mund t’luftohet shpërlarja e parave e krimi ekonomik, nëse ju thoni shtyjeni afatin e transportit të dinarit n’Kosovë!?
A pak ishin 24 vite???
Dhe, si mund të na cenoni me partneritet duke na detyrua të futemi nën ombrellën e Vuçiqit, alias Putinit, duke pranuar kërkesat e tyre? Madje gjithçka që serbëve s’iu konvenon, të zgjidhet me dialog në Bruksel!?
– Ku mbeti Pavarësia z.Ambasador, për t’cilën ne derdhëm gjak e Amerika miliona dollarë e bomba?!”, ka shkruar Çun Lajçi, në një postim në Facebook.
Ambasadori Hovenier, dje në një konferencë për media, ka thënë se deklaratat e zyrtarëve amerikanë kanë qenë vazhdimisht të qarta se Kosova duhet ta shtyjë vendimin e zbatimit të rregullores.
“Ne kemi shpresuar se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti do të angazhohej, siç bëjnë partnerët, për ta zgjidhur këtë çështje së bashku, në vend se të merren veprime në mënyrë të njëanshme… ne jemi të shqetësuar që Qeveria e Kurtit nuk e ka bërë këtë. Çfarëdo sugjerimi se gjërat janë në rregull, se të gjithë ne pajtohemi me njëri-tjetrin, nuk është aspak i vërtetë. Ne jemi të shqetësuar dhe të frustruar dhe mendoj se toni i ndihmëssekretarit O’Brien e pasqyron këtë shumë qartë”, ka thënë Hovenier.
Deklaratat e ashpra të ambasadorit amerikan në Prishtinë u bënë një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tentoi t’i hedhë poshtë sugjerimet e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili tha se Kosova po e rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.
“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, ka thënë Kurti të mërkurën.