Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në konferencën e sigurisë së Munichut, Gjermani.
Kurti gjatë ditë së sotme ka takuar kryetarin e Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq.
Gjatë bisedës, bashkëbiseduesit iu referuan sfidave të sigurisë në rajon, veçanërisht në lidhje me armatimin e përshpejtuar të vendeve të caktuara të rajonit.
U diskutua edhe për procesin e integrimeve euroatlantike, si dhe për përmbushjen e obligimeve nga “Procesi i Berlinit”.
Ndryshe, 50 udhëheqës botërorë do të marrin pjesë në këtë ngjarje vjetore, e cila vlerësohet si forum kyç ku debatohet për politikën ndërkombëtare të sigurisë. Qeveritë e Rusisë dhe Iranit nuk janë ftuar.
Kjo ngjarje po mbahet në kohë kritike, pasi në Shtetet e Bashkuara po vazhdon fushata për zgjedhjet presidenciale ku ka të ngjarë që sërish të përballen presidenti Joe Biden, dhe ish-presidenti Donald Trump.