/

‘’Pjesë e Serbisë’’, Kurti përplaset me kryeministren serbe pas deklaratës së saj në Londër: Kosova, shtet i pavarur, njihet anembanë botës

Një përplasje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe homologes së tij serbe Ana Bërnabiç ka ndodhur ditën e sotme gjatë samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga BERZH në Londër.

Përplasja erdhi pas deklaratës së Bërnabiç e cila u shpreh se Serbia e sheh Kosovën si pjesë të saj. Teksa po fliste për investimet e huaja në Serbi, Bërnabiç tha se statistikat nuk e përfshinin Kosovën.

“Serbia po ndryshon. Dhe kur them Serbia qendrore, është e dyta herë që po e them këtë, mendoj Serbia që nuk përfshin në statistika krahinën autonome të Kosovës e Metohisë, që ne natyrisht e shohim si pjesë të Serbisë. Kjo është politikë, ne tash po flasim për ekonomi dhe është me rëndësi për mua të flas vetëm për ekonominë”, tha ajo.

I pyetur sesi Prishtina zyrtare tregton me vendet mosnjohje, e menjëhershme qe përgjigjjia e Kurtit i cili i kujtoi kryeministres serbe se bëhet fjalë për ‘Republikën e Kosovës’ që njihet në botë si shtet i pavarur.

“Pikë së pari, partneri ynë kyç është bashkësia europiane dhe dëshirojmë që ta fuqizojmë këtë bashkëpunim. Kosova është njohur nga 117 vende anë e mbanë botës, 22 nga 27 në Europë, 26 nga 30 në NATO dhe 3 nga 4 vendet fqinje. Nuk kemi lidhje me Federatën Ruse. Iu kemi vënë sanksione atyre dhe duam që Ukraina ta fitojë këtë luftë. Na duhet bota dhe Europa demokratike që ta shohim të mposhtur Kremlinin dhe kryetarin despotik, Putinin. Edhe nëse ata do të donin, ne nuk do të donim të kishim punë me ta. Kemi pak import me Kinën, por bashkëpunojmë kryesisht me BE-në”, tha Kurti.

Gjatë argumentimit të tij, Kurti u shpreh se nëse do të vepronte njësoj si Bërnabiç, atëherë do të fliste për Vojvodinën, Sanxhakun apo Luginën e Preshevës që janë territore të banuara nga shqiptarë por që janë brenda territorit të shtetit të Serbisë.

“Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo siç iu referua këtu, ‘Kosova e Metohija’. Po të shkoja kësaj rruge do të merrja shumë kohë, sepse përveçse Serbia, do të duhej të thosha Serbia e Vojvodina, Sanxhaku, Toplica, Rashka, Lugina e Preshevës… Më mirë të përqendrohemi në ekonomi”, tha Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.