“Tashmë është bërë publike nga prodhuesit e këtyre produkteve bazë se më këtë vendim çmimet duhet të ulen të paktën për 10%. Në këtë krizë të rëndë u ndihmojnë shkollave fillore dhe të mesme, edhe këtu në Dellçevë dhe në gjithë vendin, me energji elektrike më të lirë, me çmim 95 euro për një megavat orë”, tha Kovaçevski.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski këtë e ka njoftuar në ceremoninë ne Dellçevë, ku ka filluar ndërtimi i stacionit të pastrimit të ujit, me mjete vetanake, por edhe me grant nga Zvicra.
Për të paktan 10% pritet të ulen çmimet e produkteve ushqimore bazë, pas vendimit të djeshëm të Qeverisë për subvencionimin e faturave të rrymës të prodhuesve të ushqimit. Rrymë më të lirë do të paguajnë edhe shkollat fillore dhe të mesme, si dhe ndërmarrjet publike për furnizim me ujë dhe të ujërave të zeza.
Kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë do të paguajnë rrymë me çmim 80 euro për megavat orë, që është dukshëm më pak se e ashtuquajtura “rrymë industriale”, ndërsa Qeveria shpreson se kjo do të pasqyrohet me çmime më të ulëta të bukës, qumështit, mishit, produkteve të qumështit, vajit dhe produkteve të tjera.
Kovaçevski thotë se është i vetëdijshëm se ka keqpërdorime në tregun e energjisë dhe për këtë arsye Qeveria ua ndalon komunave dhe Qytetit të Shkupit të formojnë ndërmarrje publike, aksionare ose shoqata me përgjegjësi të kufizuar për ndriçim publik.
“Me këto masa dhe me masat tjera antikrizë që i miratuam gjatë vitit 2022, pakoja për ndihmë për zbutjen e krizës ka arritur 760 milionë euro, që sipas Bankës Botërore është më e larta në rajon”, deklaroi Kovaçevski.
Në kushte kur në bursat botërore rritet çmimi i drithit, si pasojë e luftës në Ukrainë dhe kthimit të bllokadës ruse për transport të grurit përmes Detit të Zi, është e pasigurt nëse do të realizohen pritshmëritë e Qeverisë për uljen e çmimit të bukës dhe produkteve tjera ushqimore për të paktën 10%.