Në një rezolutë të miratuar të enjten, Parlamenti Evropian ka bërë thirrje të menjëhershme për heqjen e masave kufizuese të vendosura nga Bashkimi Evropian kundër Kosovës.
Kjo rezolutë gjithashtu shpreh mbështetje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke bërë thirrje për një dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Rezoluta gjithashtu fton të dyja palët të angazhohen në dialog për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme.
“(Parlamenti Evropian) mbështet normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zhvillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës; i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialog me mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, bazuar në njohjen reciproke, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në një ndër pikat e kësaj rezolute.
Nëse dialogu nuk përparon, rezoluta paralajmëron se kjo mund të ndikojë negativisht në integrimin e të dy vendeve në Bashkimin Evropian.
“Parlamenti Evropian shpreh keqardhje për masat kufizuese të vendosura nga Këshilli kundër Kosovës dhe bën thirrje për heqjen e menjëhershme të tyre; i bën thirrje BE-së që të miratojë një qasje të balancuar për ndërmjetësimin ndërmjet palëve në mënyrë që të kapërcehet ngërçi aktual; kujton se dështimi i Dialogut do të kishte gjithashtu pasoja për rolin e BE-së si një lojtar i besueshëm i politikës së jashtme”, thuhet ndër të tjera në rezolutën e PE-së.
Në pjesën tjetër të rezolutës, Parlamenti Evropian ka bërë thirrje që të ndërmerren masa ndaj Serbisë nëse rezulton se ajo është përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë.