/

“Duhet të kthehet dinamika në dialog, është në interes të serbëve në Kosovë”

Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë kanë vazhduar për një kohë të gjatë dhe nuk ka pasur progres në dy vitet e fundit, prandaj është e nevojshme të rikthehet dinamika e humbur, në interes, para së gjithash, të serbëve në Kosovë, ka thënë ish i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën, Wolfgang Petritsch.

“Në dy vitet e fundit situata nuk është përmirësuar. Në njëfarë mënyre ka humbur një moment dhe dinamikë pozitive. Është e nevojshme të rikthehet ajo dinamikë,” tha Petritsch duke shtuar se është i shqetësuar se negociatat janë duke marrë shumë kohë.

Ai tha se është në interes të serbëve në Kosovë dhe jo vetëm të atyre në veri ku janë shumicë, por edhe në jug që kjo dinamikë të kthehet në bisedime.

“Është e rëndësishme të mendohet se si të përmirësohet jeta e njerëzve dhe shpejt”, nënvizoi Petritsch.

I pyetur se sa i rëndësishëm ishte Samiti i mbajtur së fundmi për Ukrainën në Tiranë , ai u përgjigj se ishte shumë e rëndësishme solidarizimi me vendin e sulmuar, por edhe rritja e kontakteve politike.

“Por në të njëjtën kohë, mendoj se është e rëndësishme që Evropa të mos harrojë se hapi i parë në procesin e zgjerimit duhet të bëhet në Ballkanin Perëndimor. Këto prioritete duhet të respektohen”, tha diplomati.

Leave a Reply

Your email address will not be published.