Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.
Siç raportuan mediat kosovare arrestimi i Krasniqit ka ndodhur qysh më 19 shkurt të këtij viti. Ai u kap nga autoritetet bullgare me t’u futur në Bullgari, në pikën kufitare në Gueshevë, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut.
Kjo pasi, ish-kandidati i LVV-së për asamblenë Komunale të Gjakovës rezultoi se kërkohet ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e qenieve njerëzore.
Urdhërarresti ndërkombëtar ndaj tij është lëshuar në qytetin e Barit, në Itali, një muaj më parë, përkatësisht më datë 16 janar 2024.
Kryeshefi i KRU “Gjakova” dyshohet për tri vepra penale “lehtësimi i migrimit ilegal me bashkëpunim”, “përdorimi i dokumenteve false” dhe “falsifikimi i dokumenteve zyrtare nga një person privat”.
Atij, me kërkesë të Prokurorisë së Qarkut Kyustendil në Bullgari, një Gjykatë e Qarkut bullgare, më 22 shkurt 2024, i ka caktuar masën e paraburgimit, deri në vendosjen rreth kërkesës së autoriteteve italiane për ekstradimin e tij në Itali, raporton gazeta online Reporteri.net.
Dyshimet janë se Krasniqi, që ka në pronësi edhe një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës, dyshohet se përmes saj ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara. Rrjedhimisht, sipas autoriteteve italiane, 57 vjeçari nga Gjakova është i implikuar në tre vepra të ndryshme penale.
KRU “Gjakova”: Kryeshefi Krasniqi është në pushim vjetor
Për “zhdukjen” e kryeshefit tash e disa ditë, që rezulton i arrestuar në Bullgari, nga KRU “Gjakova” kanë thënë se i njëjti është në pushim vjetor.
Zëdhënësja e e KRU “Gjakova”, Dafina Syla-Dina, citohet të ketë thënë për Gazetën Express se Krasniqi është në pushim vjetor. Sipas saj, ai ka kaluar në pushim vjetor qe “5-6 ditë”, derisa tha se nuk ka informacione tjera për të.
“Kryeshefi është t’u e shfrytëzu pushimin vjetor. Nuk kam informacion më shumë për këtë çështje. Është duke u shfrytëzu pushimin vjetor, nuk ka pse me u lajmëru. Nuk kam informacion zyrtar. Ka nja 5-6 ditë.”, ka thënë Syla-Dina.
Ndryshe, Hasan Krasniqi, tre muaj pasi si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës kishte dështuar të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur asamblist, në janar të 2022-tës, nga Bordi i ri i emëruar nga Qeveria e Kosovës ishte zgjedhur kryeshef në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.
Me ligjin për Ndërmarrjet Publike parashihet që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit.
Megjithatë, në vitin 2014 deri në 2017, Krasniqi kishte qenë për një mandat brenda Asamblesë në Gjakovë nga radhët e partisë Alternativa – partia e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila. Por, sikurse në vitin 2021 me LVV, edhe në vitin 2017 me Alternativen ai kishte dështuar të rizgjidhej asamblist.