Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, sot më 12.03.2024, ka filluar një vizitë pune një ditore në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel.
Sipas një komunikate për media, ministrja Gërvalla do të takohet me personalitete të larta drejtuese të strukturave civile dhe ushtarake në NATO, si dhe me ambasadorët e shteteve aleate në NATO.
“Vizita e Ministres Gërvalla po realizohet në një kohë kur Evropa po kalon nëpër sfida kritike, cenim të vazhdueshëm të paqes dhe sigurisë si dhe influencës malinje në Evropë dhe në rajonin tonë. Në kuadër të takimeve të sotme do të përcjellët mesazhi i vendit tonë si faktor i rëndësishëm dhe kontributdhënës për paqen dhe sigurinë në rajon dhe përtej”- thuhet në komunikatë.
“Republika e Kosovës ndan vlerat e përbashkëta me NATO-n. Mbi 90% e qytetarëve të saj mbështesin anëtarësimin në NATO dhe BE”- theksohet tutje në njoftim.
Gjatë këtyre takimeve, Gërvalla thuhet se do të kërkojë thellimin e bashkëpunimit dhe përshpejtimin e proceseve integruese euroatlantike deri në anëtarësim të plotë në NATO të Republikës së Kosovës.
Institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në aleancën më të madhe ushtarake në botë – NATO, si garanci për sigurinë në vend për shkak të kërcënimeve nga Serbia.
Thirrjet janë shtuar veçanërisht pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2023 nga ana e një grupi të armatosur serb, në krye Millan Radoiçiqin – në atë kohë nënkryetar i Listës Serbe, partisë politike më të madhe të serbëve të Kosovës.
Si pasojë e sulmit u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku e dy të tjerë u lënduan. Policia e Kosovës gjeti armatim të konsiderueshëm në zonën e fshatit ku ndodhi mobilizimi i grupit.
Autoritetet e Kosovës demaskuan grupin, përmes publikimit të pamjeve me dron të cilat shfaqën edhe fytyrën e Millan Radoiçiqit. Për këtë të fundit ka lëshuar fletëarrestim organizata më e madhe ndërkombëtare e policisë, INTERPOL.