Mbrëmë në rezidencën e Ambasadorit Jeff Hovenier në Prishtinë, është mbajtur një takim mes emisarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe tre liderëve opozitarë, Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK).
Për takimin ka folur sot kreu i LDK-së në hollin e Kuvendit të Kosovës. Ai tha se aty u bë e qartë se raportet mes ShBA-së dhe Kosovës s’kanë qenë asnjëherë në nivel më të ulët.
“Sa i përket takimit të mbrëmshëm, ishte një takim informues mbi relacionet bilaterale mes Kosovës dhe ShBA-së, për ta thënë më thjeshtë në atë që na u tha qartë dhe zëshëm se nuk kanë qenë asnjëherë në nivel më të ulët se sa që janë sot. Mungesa e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë kryesorë, me ShBA-në, sjell pasoja për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe kjo gjendje është shqetësuese për ne. Tani Kurti përfaqëson Qeverinë e Kosovës dhe këto pasoja patjetër se barten edhe në fatin e Kosovës. Por, është obligim i të gjithë neve që të ruajmë dhe kultivojmë këto relacione se janë të domosdoshme janë të pazëvendësueshme”, u shpreh Abdixhiku.