//

UEFA pritet të marrë vendim, mund të lejohen 26 futbollistë për një kombëtare në Euro 2024

UEFA do të shqyrtojë mundësinë e rritjes së numrit të futbollistëve për skuadrat pjesëmarrëse në Europianin 2024, nga 23 që është vendosur aktualisht, në 26.

Reagimi i qeverisë europiane të futbollit vjen pas thirrjes së bërë nga një numër i konsiderueshëm i trajnerëve të përfaqësueseve pjesëmarrëse, të cilët kërkuan rikthimin e rregullit të skuadrave me 26 futbollistë.

Ndër emrat që shfaqën edhe publikisht qëndrimin e tyre ishin Gareth Southgate i Anglisë dhe Ronald Koeman i Holandës, të cilët theksuan se kalendari i ngjeshur mund të shkaktojë dëmtime të shumta dhe të penalizojë ekipet në faza të caktuara të Europianit.

Mbledhja e radhës e UEFA-s është parashikuar të mbahet në Dusseldorf të Gjermanisë më 8 dhe 9 prill, teksa nga zyrat e qeverisë europiane filtron optimizmi se do të vendoset për shtimin e numrit të futbollistëve në 26 për çdo skuadër.

Ky vendim do t’i hiqte jo pak dhimbje koke edhe trajnerit të Shqipërisë, Sylvinho, që ka ende shumë dilema dhe me një listë me 26 futbollistë, do të mund të kënaqte thuajse të gjithë, duke i marrë në Gjermani për Euro 2024-ën.

Vlen të theksohet se në Europianin e kaluar, të mbajtur në 2021-shin në Angli, por edhe në Botërorin e Katarit në 2022-shin, skuadrat u përfaqësuan me lista prej 26 futbollistësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published.