/

16 vjet burg për nënën që vrau dy vajzat e veta

Një gjykatë në kantonin Solothurn ka shpallur fajtore një grua 41-vjeçare, zvicerane, për vrasje të shumëfishtë. Ajo u dënua me 16 vjet burg. Gruaja akuzohej se ka therur dy nga tri vajzat e saj me një thikë kuzhine në vitin 2021, transmeton albinfo.ch. Vajzat ishin 7 dhe 8 vjeç.

Gjykata e Qarkut Bucheggberg-Wasseramt e shpalli gjithashtu të akuzuarën fajtore edhe për shpifje ndaj bashkëshortit të saj. Krahas dënimit me burg, gjykata në fjalë ka vendosur edhe gjobë me kusht, shkruan sda.ch. Në burg, gruaja duhet të kryejë trajtimin terapeutik ambulator. Ajo duhet t’i paguajë dëmshpërblim dhe zhdëmtim babait të fëmijëve të vrarë dhe vajzës së madhe.

E akuzuara ka deklaruar se donte të vriste edhe veten dhe nuk donte t’ia linte fëmijët burrit të saj, të cilin e shihte si rrezik për vajzat, transmeton albinfo.ch. Sipas prokurorisë, synimi kryesor i saj ishte hakmarrja ndaj bashkëshortit. Ai donte një divorc dhe e menaxhonte mirë jetën e tij, ndryshe nga gruaja.

Prokuroria publike kishte kërkuar dënim të përjetshëm për vrasje. Mbrojtja ishte deklaruar për 13 vjet për vrasje të shumëfishtë.

Aktgjykimi nuk është ende përfundimtar dhe mund të vazhdojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.