Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka pritur sot në një takim shefen e operacioneve aktuale, Divizioni per Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe.
Ministri thotë se në takim kanë biseduar për gjendjen e sigurisë në Kosovë.
“Me këtë rast, znj. Viehe e njoftova me zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe planet për të ardhmen. Gjatë takimit gjithashtu biseduam për gjendjen e sigurisë në Kosovë, dhe theksova faktin që vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënimin të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit, e që duhet trajtuar me seriozitet lëvizjet e tilla të Serbisë edhe nga ana e NATO-s”, ka theksuar ministri.
Maqedonci shton tutje se “në takim kanë biseduar për bashkëpunimin e ngushtë si ministri me KFOR dhe Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), ndërsa ritheksova se objektivi ynë është anëtarësimi në NATO, në mënyrë që FSK të ofroj kontribut aktiv në misionet për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, e për këtë po angazhohemi çdo ditë”.